Me ardhjen e njeriut dhe të kafshës në këtë botë, vihen re dallime. Duke krahasuar të veçantat e ardhjes së njeriut dhe të kafshës, do të kuptojmë se njeriu vetëm nëpërmjet Besimit mund të arrijë cilësitë e nevojshme.
Kafsha në këtë botë është e pajisur me të gjitha vetitë dhe cilësitë e një kafshe. Ajo nuk e ka të vështirë që brenda dy orëve apo muajve të njohë dhe reflektojë ndjesitë e realitetit ku jeton. Ndërsa njeriut i duhen njëzet e ca vjet të njohë veçoritë e jetës së vet, kur miza apo një zog mali ato i mëson për njëzet ditë.
Domethënë çdo tipar i secilës kafshë, frymëzohet dhe udhëhiqet nga Zoti xh.sh.. Nga kjo kuptojmë se kafsha si detyrë parësore nuk ka që çdo dhunti ta arrijë nëpërmjet studimit. Ajo nuk përparon duke mësuar dhe pasi të ketë kuptuar dobësinë e vet, të lutet. Sigurisht që, detyra e saj është që simbas aftësive të punojë, veprojë dhe në këtë mënyrë ajo të shprehë adhurimin e vet ndaj Allahut xh.sh., Krijuesit të vet.
Me ardhjen e tij në këtë botë, njeriu e ka të nevojshme të marrë njohuri për çdo send dhe është tepër i paditur ndaj ligjeve të jetës. Mbase edhe për njëzet vjet të jetës së vet ai nuk do të jetë informuar mbi të gjitha ligjësitë dhe të fshehtat e ambientit ku jeton. Proçesi i njohjes do ta shoqërojë atë deri në fund të jetës së tij, sepse nevojat e tij nuk kanë fund. Shpeshherë, ai do të ndihet i pafuqishëm dhe i pazoti për t’u përballuar me vështirësitë e jetës. Në këtë botë njeriun Zoti xh.sh. e ka dërguar që të mësojë deri në momentet e fundit të jetës. Nga pafuqia dhe dobësia e vet ai brenda një apo dy vjetësh do të ngrihet në këmbë. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh mund të jetë në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja. Po qe se e ndihmon dikush, ai mund të marrë nga ana e të mirave dhe të braktisë të këqijat.
Detyra parësore e njeriut është të arrijë përsosmërinë duke studiuar dhe mësuar, duke u lutur dhe adhuruar.
Njeriu duhet të kujtohet se me mëshirën e kujt ka ardhur në këtë botë dhe kush ia ka dhënë atij përsosmërinë e pakursyer. Ai duhet t’i drejtohet vetes: "Me Bujarinë e kujt po edukohem si jo më mirë? Nga po më vjen kjo fisnikëri që po më ushqen kaq bollshëm dhe po më kuron nga sëmundjet?"