Tani ti që ke fare pak pjesë në të, përkundër Zotit që është Pronar i vërtetë, a të ka hije të ankohesh? Mos e humb shpresën dhe mos ulëri! Jo, jo, ty nuk të ka hije, sepse kjo gjë u shkon për shtat vetëm atyre që kanë rënë në errësirën e mosbesimit.
Pika e katërt. Pra po të mos ekzistonte jeta e përjetshme, për hidhërimin dhe humbjen e shpresës do të kishe një farë të drejte. Meqenëse kjo botë është një bujtinë e përkohshme, atje ku ka shkuar fëmija yt do të shkosh edhe ti edhe ne të gjithë. Kjo vdekje nuk është një fenomen i rrallë, vetëm për fëmijën tënd. Kjo është një rrugë, një bulevard i vazhdueshëm dhe ndarja juaj nuk është e përjetshme. Në të ardhmen, në parajsë do të ribashkoheni dhe do të bashkëjetoni.
Ty të takon të thuash: (Sundimi i takon vetëm All-llahut xh.sh.) djalin Ai ma dha dhe Ai ma mori! Përveç atyre që janë zhytur në errësirën e mosbesimit, neve na takon të falenderojmë dhe të durojmë duke thënë: "Elhamdulil-lahi ala kul-lihalë“.
Pika e pestë. Shefkati (mëshira e gërshetuar me dashuri) është një nga dhuratat më të përkryera dhe më hyjnore që ka dhënë Zoti si mjet ndriçimi në zemrën e nënës dhe të babait. Aq e madhe është kjo mëshirë, saqë ata i shtyn të sakrifikojnë edhe jetën për vogëlushët e tyre. Ajo është më ndikuese se dashuria e të dashuruarve. Pikërisht kjo mëshirë shërben si shkak për t’i afruar shumë më shpejt me Zotin xh.sh..
Dashuria për këtë botë është artificiale dhe pas shumë pengesave mund të shndërrohet në dashuri të vërtetë, kur gjen Zotin Madhështor. "Shefkati" (mëshira e prindërve) pa asnjë pengesë të shërben si një mjet i pastër për t’u
lidhur më tepër me All-llahun xh.sh..