10) Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Atëherë All-llahun lartësoni kur të vijë mbrëmja dhe kur të agojë mëngjesi. Falenderimi i takon vetëm Atij edhe në mbrëmje edhe ditën prej gjithçka ka në qiej e në tokë. Ai krijon të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit. Ai e ngjall tokën pas vdekjes së saj, e po ashtu edhe ju do të nxirreni (të gjallë prej varrezave). Nga faktet (e fuqisë) së Tij është edhe ajo, se Ai ju krijoi prej dheu, e mandej ju (u zhvilluat në) njerëz që veproni të shpërndarë. Dhe nga faktet e madhërisë së Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj (gratë) ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë. Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëzit. Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argument për popullin që dëgjon. Nga argumentet e Tij është edhe ajo që ua dëfton vetëtimën edhe si frikë edhe si shpresë, dhe nga qielli lëshon shi e me të e ngjallë tokën pas vdekjes së saj. Në këtë ka argumente për një popull që di të mendojë. Nga argumentet e Tij është që me fuqinë e Tij bëri të qëndrojë (pa shtyllë) qiellin e tokën, mandej kur t’iu thirret me një të thirrme prej tokës, ju menjëherë dilni. E tij është ç’ka në qiej e në tokë dhe të gjithë vetëm Atij i përulen. Dhe Ai është që e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lartë për Të (sipas mendimit tuaj). Shëmbëlltyra me e lartë është vetëm e Tij, në qiej edhe në tokë dhe Ai është Mbizotëruesi, i Urti.
Dokumentin dhe kulmin e Besimit për Ringjalljen, e tregon ky argument qiellor, që është si një busull e pagabueshme: Me ndihmën e pallogaritshme të Zotit xh.sh., Saidi i Moçëm, para shumë vitesh në parathënien e pjesës “Muhakemat”, ka komentuar nga komenti i këtyre dy ajeteve problemin e Ringjalljes dhe ka thënë:
“Ne (themi) me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”; dhe ka ndaluar, nuk ka mundur të vazhdojë më. Falenderojmë All-llahun xh.sh. sa numri i shënimeve të Ringjalljes, se pas tridhjetë viteve, ma frymëzoi këtë argument. Prej dy ajeteve, të parin Zoti xh.sh. ma frymëzoi para nëntë vitesh.