Libri, (Frutat) Argumentet e Besimit, është shkruar në burgun e qytetit të Denizlisë.
Shtrohet pyetja që, autori i famshëm Bediuzzaman Said Nursi, për çfarë arsyeje është burgosur dhe dënuar. Rreth kësaj teme së shpejti do të mund të merrni shpjegime të hollësishme në librin: “JETA DHE VEPRA E BEDIUZZAMAN SAID NURSIUT, sipas tij dhe studiusve të mëdhenj të botës”. Por këtu shkurtimisht po japim një sqarim të vogël.
Nga historia dimë se shumë dijetarë të shquar të fesë islame, janë burgosur, torturuar e ekzekutuar, nga regjime të ndryshme diktatoriale.
Kush lexon veprat e Said Nursiut, do të bindet se i gjithë qëllimi i tij, përmblidhet në shpëtimin e besimit nga plagët e fituara nga filozofia materialiste. Ai kurrë në jetën e tij nuk është përzier në punë të pahijshme, apo diçka tjetër të dënueshme.
Intrigat e jashtme të armiqve të fshehtë të fesë islame, kurrë nuk e kanë ndalur sulmin ndaj nxënësve të Risale-i Nurit dhe mësuesit të tyre, Said Nursi.
Këto vepra pasi janë shqyrtuar shumë herë nga ekspertët, autori dhe nxënësit e tij, kanë fituar gjithmonë pafajësinë.
Sot këto libra botohen në disa shtëpi botuese, në më shumë se dyzet gjuhë të ndryshme.
Përkthyesi