[Kjo letër përbëhet nga dy kapituj. Kapitulli i parë i thërret besimtarët (muslimanë) në vëllezëri dhe dashuri të ndërsjellë dhe për pangopësinë si shkas i shqetësimeve shpirtërore të njeriut.]
KAPITULLI I PARË
Në emër të All-llahut të Gjithëmëshirshmit, Bëmirësit
"S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj.
Largoje të keqen me atë që është më e mirë!. Pastaj ja, ai mes të cilit dhe mes teje pati armiqësi (do të bëhet) si të ishte mik i ngushtë.
(Të shpëtuar janë) edhe ata të cilët e falin njëri-tjetrin, vërtet All-llahu i do shumë bamirësit. "
Ndër shkaqet më kryesore për ndasitë dhe përçarjet mes besimtarëve janë: inati, xhelozia, urrejtja dhe ambiciet ndjellakeqe të cilat çojnë deri në hipokrizi. Të gjitha këto janë të papranuara dhe të dënuara. Ato në tërësi i gjykon realiteti, urtësia dhe shpirtgjerësia Islame.
Po ashtu duhet ditur se armiqësia është dëm i rrezikshëm, shkatërron jetën shpirtërore të njeriut, atë personale dhe shoqërore. Madje, është helm që helmon jetën njerëzore.
Për këtë të vërtetë ka shumë argumente por ne do t’i përmendim vetëm gjashtë prej tyre:
Argumenti i parë:
- Me të vërtetë armiqësia e njeriut ndaj vëllait të tij realisht është një krim.
O ti që zemrën tënde e ke mbushur me urrejtje dhe armiqësi ndaj vëllait tënd besimtar dhe që të mungon urtësia! Merr një shembull: sikur ti ndodhesh në një anije (barkë) ose në një shtëpi ku së bashku me ty janë edhe nëntë persona të mirë dhe një kriminel. Ti vëren se dikush po orvatet të fundosë anijen ose të rrënojë shtëpinë mbi ju. S’ka dyshim se në atë çast ti do të thërrasësh me zë të lartë duke kundërshtuar atë që orvatet të bëjë zullum mbi ju, pasiqë nuk ka ligj që lejon fundosjen e anijes në të cilën gjenden nëntë kriminelë por në atë është një i pafajshëm.