“Bukuritë e besimit islam” është një perlë në gjerdanin e mahnitshëm Risale-i Nur.
Njeriu i ndriçuar nga besimi islam shkëlqen me rrezet e farfurishme të një diamanti. Ai sikur na fton, na nxit, e na thotë: “Shihmëni!”
Po, njeriu është krijesa më e përkryer, më e plotë, më e aftë e Mjeshtrit të Madh. Vetëm njeriu pati guximin të marrë përsipër amanetin e All-llahut. Ai duke i besuar Krijuesit stoliset me cilësitë më të çmuara fizike, mendore e shpirtërore. E këto cilësi rrezatojnë vlerën e njeriut. Përmes tyre ai tregon qartë se është një mrekulli e rrallë e Krijuesit. Në çdo shqisë, në çdo qelizë të trupit të tij, në çdo veprim e në çdo sjellje të tij, njeriu besimtar pasqyron mrekullinë e Zotit, Kriuesit të pashoq. Madhështia e njeriut në raport me të gjitha krijesat e tjera, duket në lirinë e tij. Ai i pajisur me cilësitë më të larta fizike, mendjen e kulluar, me zemrën e ndërgjegjen e pastër, është i lirë të zgjedhë rrugën e tij në jetë. E në qoftë se zgjedh rrugën e drejtë, rrugën e së mirës, të së vërtetës, atë që ia lejon i Madhi Zot, ai lartësohet në majat më të larta. Vlera e tij në këtë rast rritet shumë, madje është më e lartë se e engjëjve, sepse melekët kanë mundësi dhe të drejtë të bëjnë vetëm mirë, të lavdërojnë e të adhurojnë All-llahun. Ndërsa njeriu ka vlerë më shumë sepse në mes dy rrugëve zgjedh të lejuarën, kur ka mundësi e liri të plotë të zgjedhë edhe të ndaluarën. Prandaj çdo cilësi e besimtarit, e ndriçuar nga mirësia dhe mëshira e Zotit, shkëlqen e tregon qartë vlerën e njeriut, plotësisht të lirë.