Ky njeri mund të shkojë në kulmin e lartësive. Të gjitha shqisat dhe elementet që i janë dhënë në këtë jetë për t’i shërbyer, ndahen prej tij duke dëshmuar në favor të tij në Jetën e Pastajme. Pra, organet e njeriut nuk i janë dhënë atij vetëm për këtë jetë të përkohshme, por sigurisht edhe për Jetën e Përjetshme.
Kur të krahasojmë njeriun me kafshët, do të shohim se nga mjetet dhe elementet përbërës, njeriu është një pasanik i madh, pothuaj njëqind herë më i pasur se kafsha. Ja pra njeriu për secilën shije ka ndijim të veçantë, ashtu sikurse edhe për çdo hidhërim ka gjurmën e veçantë të helmit, hidhërimeve të së kaluarës së tij iu shtohet edhe frika e së ardhmes, bashkë me ndarjen nga farefisi. Mpleksja e shijimeve me hidhërimet, njeriut ia prish humorin dhe kënaqësinë. Kafsha nuk është krijuar kështu. Ajo shijon dhe kënaqet pa ndjerë fare hidhërim. Lumturohet pa u dëshpëruar, as e kaluara dhe as e ardhmja nuk e shqetëson. Ajo nuk trishtohet nga asgjë. Jeton pa brenga në një qetësi të plotë duke falenderuar Krijuesin e saj.
Njeriu duke qenë krijesa më e përsosur dhe e pajisur me shqisa njëqind herë më të pasura se kafsha, nga kjo jetë është njëqind herë më i pakënaqur se ajo, prandaj përkushtimi i tij vetëm për këtë botë të përkohshme atë e rrëzon më poshtë se kafsha, bën ta shijojë këtë botë më pak se një zog i pyllit. Më parë kemi dhënë një shembull dhe meqenëse ka lidhje me këtë problem, po e përsërisim:
Një pasanik i jep shërbëtorit të tij dhjetë napolona flori dhe i thotë: "Shko e bli një kostum prej stofi të mirë!" Po kështu thërret shërbëtorin e dytë dhe bashkë me njëmijë napolonat e floririt i jep edhe një letër ku kishte shkruar porosinë.
Shërbëtori i parë me dhjetë napolona bleu një kostum shumë të bukur.
Shërbëtori i dytë pa e lexuar fare letrën, nxjerr njëmijë napolonat dhe ia jep një shitësi, duke i kërkuar një kostum burrash. Shitësi qëlloi mashtrues dhe i jep një kostum prej një stofi shumë të keq. Kur shkoi tek padroni, shërbëtori fatkeq u dënua rreptë dhe vuajti shumë. Kush ka mend sa një kokërr gruri e kupton se kur shërbëtorit të dytë i dhanë njëmijë napolona flori, dihet se ato nuk iu dhanë vetëm për një palë rroba, por mund të përdoreshin edhe për një tregti të levërdisshme dhe serioze.