E njëjta gjë ndodh me elementet e ndjeshmërisë shpirtërore dhe vlerat njerëzore të njeriut, të cilat të krahasuara me ato të kafshës janë njëqind herë më të zhvilluara. Si shembull: Të gjitha shkallët e bukurisë, syri i njeriut i veçon dhe ushqimet e lloj-llojshme i vlerëson shqisa e shijes, duke përcaktuar edhe shkallën e saj.
Mendja e njeriut është pajisur me cilësi të tilla, që është në gjendje të analizojë të gjitha stërhollimet e fenomeneve. Zemra po kështu është e mbushur me të gjitha përmallimet dhe sentimentet humane. Po në këtë mënyrë, po t’i rreshtosh të gjitha elementet përbërës të njeriut, a mund të kuptosh se deri ku shkon radha? Shqisat e njeriut nuk janë si ato të kafshës së thjeshtë, që nuk peshojnë as dy gram. Ato dinë vetëm të hanë, të pinë dhe të bashkohen për të vazhduar fisin e tyre. Mund të dallohet fare pak ndonjë kafshë që ka një farë instinkti të zhvilluar, që spikat me veprimet e saj, por mendimi është tepër i vështirë të zbulohet. Këto veprime nuk janë veçse instinkte. Pra kuptohet nga sa thamë se njeriu nga kjo pikëpamje është shumë i pasur në aftësitë e shqisave, për shkak se ai zotëron mendjen dhe arsyen e nuk është e vështirë për të zbuluar aftësitë e tjera. Veç kësaj, nevojat dhe kërkesat e njeriut janë të panumërta dhe ndjenjat e tij janë tepër të hapura dhe të shumëllojshme. Krijimi i njeriut, po të krahasohet me shumë krijime të tjera, ka qëllime shumë të larta dhe të gjera, si dhe dëshira të larmishme. Ai është i ngarkuar me detyra të veçanta. Aftësia e njeriut është e tillë, që ai të sqarojë dhe të zbatojë të gjitha llojet e adhurimeve. Ai ka përsosmërinë për të shfrytëzuar të gjitha këto aftësi. Aq shumë është i pajisur me aftësi të rralla dhe me një kapital të madh, saqë të gjitha këto veti dëshmojnë se nuk janë vetëm për në këtë botë të përkohshme. Obligimet dhe detyrimet e njeriut janë shumëplanëshe, të larmishme dhe të detyruara për t’u zbatuar. Njeriu duhet ta pranojë dobësinë dhe varfërinë e tij, si dhe të shfaqë adhurimet ndaj Zotit xh.sh.. Me horizontin e gjerë të dijeve të tij, njeriu duhet të bëhet dëshmitar i krijesave të tjera, të shikojë "tespihët" e tyre dhe të falenderojë Zotin xh.sh. për këto mirësi. Ai duhet ta vlerësojë mirë ndihmën e madhe të Krijuesit të Gjithmëshirshëm në Artet e Gjithësisë së sotme, Mrekullinë e Fuqisë së Zotit xh.sh. dhe të kujtohet për dobitë e Tij.
O njeri i pakujdesshëm që adhuron botën dhe e dashuron atë. Saidi i moçëm të vërtetën siç e ka parë me një ndodhi të hershme dhe të imagjinuar ta ka treguar.