Në fillim thamë se: Të gjitha qëniet e krijuara thonë: "Bismil-lah". A është kështu?
Nëse do të shikoje se si një njeri i vetëm vjen dhe i dërgon me forcë të gjithë njerëzit e qytetit, në një krahinë dhe i detyron të punojnë angari, së shpejti mëson se ai njeri, nuk po vepron në emrin dhe forcën e tij. Ndoshta ai është një ushtar që zbaton ligjin në emër të shtetit dhe i cili forcën e urdhërin e veprimit i merr nga një Mbret.
Çdo gjë ekziston, vepron dhe lëviz në emër të Zotit të Madhëruar. P.sh.: Farat shumë të vogla dhe bërthamat krijojnë pemë të mëdha, që ngrejnë pesha të rënda, sa një mal. Domethënë: çdo pemë thotë "Bismil-lah", mbledh frutat nga thesari i të Gjithëmëshirshmit dhe na ushqen neve. Çdo bostan thotë "Bismil-lah" dhe në kuzhinën e Fuqisë së Pafundme piqen së bashku shumë lloj ushqimesh të shijshme, duke na u servirur neve në Emër të të Gjithëmëshirshmit. Çdo kafshë e butë, si: lopa, deveja, delja, dhe dhia thonë "Bismil-lah" dhe bëhen si një krua i Zotit të Madhëruar, ku rrjedh si burim, qumështi. Ato neve na japin lëngun më të mirë të gjallërimit, në Emër të Furnizuesit të botërave. Çdo bimë apo pemë, rrënjët dhe damarët e të cilave shtrihen si fije mëndafshi nën tokë thotë: "Bismil-lah" dhe kështu shpojnë tokën dhe shkëmbin e fortë, duke depërtuar në mesin e tyre. Çdo gjë vihet në shërbim të Zotit të Madhëruar dhe i nënshtrohet Ligjeve të Tij.
Ja pra, si degët e pemës që hapen në ajër, të drejtuara nga qielli dhe lidhin frutet, po kështu edhe rrënjët e disa bimëve të brishta, me një lehtësi të madhe e shpojnë gurin dhe dheun e fortë dhe nën tokë lidhin frutat, për t’u mbrojtur nga nxehtësia e madhe e Diellit dhe për muaj të tërë mbeten të gjelbërta dhe të lagështa. Me këtë argument Zoti i Madhëruar i demaskon natyralistët, ata që thonë se kjo është vepër e natyrës. Duke ua futur gishtin në syrin e tyre të verbër, u thotë: Shikoni, ju që i besoni forcës së energjisë së nxehtësisë, edhe ajo lëviz sipas ligjeve të Krijuesit të Gjithësisë, sikurse ato rrënjët e buta si mëndafshi, që i përngjajnë shkopit të Musait (a.s.).