Po kështu në çatinë e kësaj bote, me miliona janë "llambat" e yjeve, që sipas zbulimeve të astronomëve, disa prej tyre janë njëmijë herë më të mëdhenj se bota jonë dhe lëvizin 70 herë më shpejt se gjylja e topit. Duke lëvizur, rregulli i tyre nuk prishet, nuk përplasen dhe nuk shuhen. Materiali ndriçues i tyre nuk mbaron. Shkenca e astronomisë që jeni duke studiuar, për këtë do t’iu njohë më mirë me diellin, që qenka krijuar para një milion vjetësh dhe që qenka mbi një milion herë më i madh se kjo botë. Në këtë Bujtinë Hyjnore, ai shërben si një llambë, apo si një stufë, që nuk shuhet kurrë. Është vërejtur se për të siguruar materialin ndriçues të tij vetëm për një ditë, duhet që të gjitha malet e kësaj bote të jenë me qymyr dhe e gjithë bota të jetë plot me benzinë dhe gaz. Fuqia ngrohëse e tij llogaritet e barabartë me fuqinë kaloriferike të të gjithë drunjëve të njëmijë sipërfaqeve të kësaj bote. Pra, pa gaz, pa dru dhe qymyr, ndizet me një energji që nuk shuhet kurrë, në një lëvizje të vazhdueshme dhe pa u ndeshur asgjëkundi. Të gjitha tregojnë për një të Plotfuqishëm të Paarritshëm, një Zot xh.sh. Madhështor. Sa të mëdha dhe të fuqishme janë këto llamba, po t’i krahasojmë me ato të mjeshtrave tanë. Bëjeni këtë krahasim, kur të studioni shkencën e astronomisë dhe do të bindeni se ka një Sundimtar të Gjithësisë, që i sajon të gjithë këto fenomene gjigande.
Shembull 6. Lexo një libër, çdo rresht i të cilit, është i shkruar me laps të hollë, ku në çdo fjalë është pasqyruar një sure e Kur’anit. Atëhere pa dyshim e kupton se këtë mund ta shkruajë vetëm një Autor i Mrekullueshëm. Prandaj kjo vepër duke u vlerësuar nga të gjithë, me shpirt shqiptohen fjalët: Mashaall-llah.... Po kështu duke parë Gjithësinë e madhe, vetëm në një pjesë fare të vogël, siç është sipërfaqja e tokës dhe një formë e saj siç është pranvera, do të vëresh se ajo është krijuar si një libër gjigand me treqind mijë faqe të mbushura me bimë dhe kafshë të mijëra llojeve, të kombinuara kaq bukur me njëra tjetrën dhe pa ngjasuar aspak dhe që të gjitha të krijuara në një mënyrë të përsosur. Tek "fjalët" e një druri, si në një vjershë të bukur, brenda embrionit të një fare, ka futur përmbajtjen e të gjithë librit. A nuk të duket se aty ka punuar një laps i fshehtë dhe a nuk janë të gjitha këto mesazhe shumë domethënëse? Tek secila fjalë e tyre shfaqet dituria e kulluar.