Pjesa e Dytë e cila është Trajtesa e Dytë | Pjesa e Dytë e cila është Trajtesa e Dytë | 2
(1-7)
PIKA E PARË
Agjërimi në muajin e Ramazanit është njëra nga pesë shtyllat e Islamit, dhe konsiderohet nga më të mëdhatë e shenjave dhe e rregullave të Islamit. Ndodhen shumë qëllime dhe shembuj urtësie në agjërimin e Ramazanit të cilat shikojnë edhe tek Hyjnia e Zotit të Gjithëfuqishëm, edhe tek jeta sociale e njeriut, tek jeta e tij individuale, shikojnë gjithashtu tek ushtrimi dhe edukimi i nefsit instinktiv, tek pastrimi i tij dhe tek mirënjohja ndaj mirësive Hyjnore.Njëri nga shembujt e shumtë të urtësisë në agjërim nga këndvështrimi i Hyjnisë së Zotit të Gjithëfuqishëm është sa vijon:
All-llahu i Gjithëfuqishëm e krijoi faqen e tokës në formën e një tryeze të mbushur plot e përplot me mirësi dhe ka vënë mbi tryezë çdo lloj mirësie në një formë, “...prej nga as nuk mund ta mendonte (njeriu).” , duke shpallur në këtë mënyrë plotësimin e Hyjnisë së Tij, mëshirën dhe dhembshurinë e Tij. Qëniet njerëzore janë të pamundura ta dallojnë qartë realitetin e kësaj situate ndërsa janë brenda sferës së shkaqeve, nën perden e pakujdesisë, dhe ata ndonjëherë e harrojnë atë.
Ndërsa gjatë muajit të Ramazanit, njerëzit e besimit papritmas bëhen si një ushtri e mirorganizuar. Ndërsa iftari në perëndimin e diellit afrohet, ata shfaqin një qëndrim adhurues të përndritur sikur të ishin ftuar në banketën e Sovranit të parapërjetshëm, dhe presin urdhrin e “urdhëroni bujrum!” në tryezën e bujarisë së Tij... dhe ata me këtë gjendjen e tyre i përgjigjen asaj mëshire të gjërë universale me një adhurim gjithëpërfshirës, të lartë dhe të rregullt...
A mendoni ju për ata, të cilët nuk marrin pjesë në një adhurim të tillë të lartë dhe në këto mirësi të larta se janë të meritueshëm të quhen qënie njerëzore?
PIKA E DYTË
Një nga shumë shembuj të urtësisë në agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, për sa ka të bëjë me mirësitë e Zotit të Gjithëfuqishëm, është si më poshtë vijon:Ashtu siç u tha në Fjalën e Parë, ushqimet të cilat i sjell një shërbëtor nga kuzhina mbretërore kanë çmimin e tyre. Por do të ishte marrëzi nëse do të supozoheshin ato ushqime shumë të vyera si të pavlera, dhe nëse nuk do të njihej Ai i Cili i dhuroi ato.
Zoti i Gjithëfuqishëm ka shpërndarë lloje të panumërta mirësish mbi faqen e tokës për njerëzimin; në këmbim të tyre Ai dëshiron falënderime si çmim për ato mirësi. Shkaqet e jashtme dhe pronarët e tyre të jashtëm të cilët i mbajnë ato mirësi janë si shërbëtorë për to. Ne u japim shërbëtorëve atë çmim që ata meritojnë dhe ndjehemi mirënjohës e të detyruar ndaj tyre, dhe madje u japim falënderime e respekt më shumë se sa meritojnë. Ndërsa Dhuruesi i vërtetë i mirësive është pafundësisht më i meritueshëm për t’i dhënë falënderime se sa ato shkaqe të cilat janë thjesht mjete të jashtme për ato mirësi.
Atëherë të falënderosh Atë, do të thotë të pranosh se mirësitë vijnë drejtpërdrejtë prej Atij; është të çmosh vlerën e tyre... dhe të perceptosh nevojën që ka njeriu për to. Kështu agjërimi në Ramazan është çelësi për një falënderim të vërtetë, të sinqertë, të shtrirë dhe universal. Për kohët e tjera të vitit, shumica e atyre të cilët nuk janë në rrethana të vështira nuk e kuptojnë vlerën e shumë mirësive meqenëse ata nuk përjetojnë një uri të vërtetë. Ata që i kanë stomakët plot dhe, në mënyrë të veçantë, në qoftë se ata janë të pasur, nuk e kuptojnë shkallën e mirësisë që ndodhet në një copë buke të thatë. Por në kohën e iftarit, kur thyhet agjërimi, kur çelet iftari, shqisa e të shijuarit dëshmon se buka e thatë është më e vlefshmja e mirësive Hyjnore në sytë e një besimtari.
Gjatë Ramazanit, gjithësecili nga agjëruesit duke filluar nga mbreti dhe duke përfunduar me të varfërin - manifestojnë një lloj mirënjohje nëpërmjet të kuptuarit të vlerës së atyre mirësive.
Për më tepër, meqenëse ngrënia është e ndaluar gjatë ditës, ata do të thonë: Ato mirësi nuk më përkasin mua. Unë nuk jam i lirë që t’i haj ato, sepse ato janë pronë e një tjetri dhe nga dhuratat e Tij. Unë pres urdhrin e Tij. Ata do ta njohin mirësinë të jetë mirësi dhe kështu do të japin falënderime. Prandaj agjërimi në këtë mënyrë, në shumë drejtime është si një çelës për mirënjohje, për atë mirënjohje e cila është detyra themelore e njeriut.
Nuk ka ze