Pika e parë: Themeli më i rëndësishëm i Risale-i Nurit është "Mëshira" dhe ky grup grash, janë heroina të mëshirës, sepse ato shpirtërisht kanë kontakt më shumë me Risale-i Nurin. Unë falenderoj Zotin xh.sh. në këtë rast, se kjo lidhje ka dalur në shesh në shumë vende. Mëshira e tyre është edhe një ndjenjë shumë e madhe, që nuk pret fare shpërblim. Në këtë kohë kjo mëshirë vlen jashtëzakonisht shumë.
P. sh. një nënë për të shpëtuar fëmijën e saj, pa shpresuar fare për shpërblim, sakrifikon jetën. Me një sakrificë të vërtetë dhe sublime, ajo vetëflijohet dhe bëhet "kurban" për fëmijët e saj. Kjo tregon se gratë janë heroina të mëdha. Po të lulëzojë kjo cilësi e tyre, atëhere ato do të shpëtojnë në të dy jetët. Por pengesat e rrymave të ndryshme dhe të këqija, nuk e lënë që të lulëzojë këtë "cilësi" të bukur dhe i shtyjnë drejtë abuzimeve. Nga qindra shembuj, do të parashtrojmë atë më të thjeshtin:
Një nënë fisnike, fëmijët e vet i edukon vetëm të shpëtojnë nga rreziqet e kësaj jete dhe i merr parasysh të gjitha vështirësitë, vetëm e vetëm që t’i garantojë fëmijës jetën e përkohshme. Që t’i bëhet djali oficer, të gjithë mallin e shpenzon dhe e heq nga medreseja e "hafizëve", për ta dërguar në Europë. Mjerisht ajo nuk e kupton se e ka hedhur në prehrin e rreziqeve të përjetshme, duke e shpëtuar nga burgu i përkohshëm. Ajo nuk mendon se djalin e ka futur në ferrin (xhehennemin) e përjetshëm. E gjora nuk po e kupton se po vihet kundër mëshirës, që ka lindur që me krijimin e saj. Duke qenë e drejta e saj të bëhet pjesëtare e sevapeve të të birit, e humbë atë, po qe se nëna nuk ia jep arsimin e duhur fetar atij, duke u kthyer më vonë ky fëmijë në një paditës të saj. Për këto ndërhyrje anormale fëmija do të kërkojë të marrë hakun ndaj së ëmës, sepse vet ajo nuk e ka edukuar që t’i përulet
ligjeve të Krijuesit të vet duke e qortuar. Ai do t’i bërtasë me të drejtë nënës, duke i thënë: "Vet e ke fajin, pse nuk më ke forcuar besimin, por më zhyte në këto rreziqe?" Kështu ai vazhdimisht do të ankohet, ngaqë nuk e ka marrë edukatën e duhur të fesë Islame. Në këtë jetë nuk do të mundet t’i kushtojë vëmendje mëshirës së nënës dhe ndoshta do të bëjë shumë gabime ndaj saj.