O motrat e mia dhe ju o bijtë e mi, dëgjojeni mirë këshillën që do të parashtroj më poshtë. Ajo iu shërben për të fituar jetën tjetër dhe kënaqësitë e kësaj jete. Mund të ruhen edhe cilësi të tjera brilante vetëm e vetëm atëhere kur të keni marrur edukatën e përshtatshme të fesë islame. Edhe vetë e keni dëgjuar se si u vajti halli grave në Rusi.
Në një tregim të Risale-i Nurit është thënë se: Një burrë i mençur nuk duhet t’i sakrifikojë ndjenjat dhe dëshirat tek gruaja e tij vetëm për kënaqësinë e dhjetë vjetëve të kësaj bote. Me saktësi, ta dini se hijeshija më e bukur e grave është në moralin e tyre të brendshëm dhe tek mëshira e tyre e veçantë. Këto cilësi të bukura do të vazhdojnë deri në përjetësi. Mundohuni t’i frenoni dëshirat tuaja, të respektohen cilësitë e vyera të grave tuaja të lejuara, në mënyrë që ato të gjejnë mbështetje edhe në moshën e pleqërisë. Për besimtarët shoqëria me to nuk është vetëm për një jetë të shkurtër të kësaj bote, por ndoshta edhe për jetën e përjetshme, ku do të ketë një shoqëri përrallore. Është kjo arsyeja që në moshën e pleqërisë ia shton dashurinë, respektin dhe nderimin ndaj njëri-tjetrit.
Tani nën maskën e kulturës dhe të qytetërimit të sotëm, pas një dashurie si kafshët, çiftet po ndahen përjetësisht, duke u përballuar me një shkatërrim total të jetës familjare.
Përsëri po e theksoj ashtu siç e kam thënë edhe në një vend tjetër në Risale: Është fatbardhë ai burrë që për të mos humbur bashkëshorten e vet në jetën e përjetshme e ndjek gruan që është mirë me punët e ahiretit, sipas parimeve të fesë Islame, duke u bërë në këtë mënyrë edhe vetë një mysliman i mirë. Po kështu është fatbardhë edhe ajo grua, që ka pasur fatin të martohet me një burrë që përjeton fenë islame dhe përpiqet për të mos e humbur kënaqësinë e jetës së përjetshme. Ajo duke ndjekur burrin e vet, kthehet në një myslimane të mirë, që brenda kënaqësive të kësaj jete, e fiton edhe parajsën e lumtur.