O ju njerëz, ruanu dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kijametit është një llahtari e madhe.
Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse e braktisë atë që ka për gjiri dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, por ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i ashpër.
All-llahu, që s’ka tjetër përveç Tij, pa tjetër Ai do t’iu tubojë në ditën e gjykimit, për të cilën gjë nuk ka dyshim. E kush mund të jetë më i vërtetë se All-llahu në thënie?
E s’ka dyshim se të mirët janë në kënaqësinë e përjetshme (xhennet) dhe mëkatarët janë në xhehennem.
Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendësinë e saj (barrën nga brenda) dhe njeriu të thotë: “Ç’ka kjo që bën këtë dridhje?” Atë ditë ajo i rrëfen tregimet e veta, ngase Zoti yt e ka urdhëruar atë. Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat e tyre. E kush punon ndonjë të mirë që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.
Krisma e kijametit. Ç’ka është krisma? Dhe ç’të mësoi ty se ç’është krisma? Ajo është dita kur njerëzit bëhen si insekte të shpërndara. E sa i përket atij që i rëndohet peshorja e veprave të tij,ai është në një jetë të këndshme. Ndërsa atij, që ka rëndesën e lehtë të veprave të tij, vendi i tij do të jetë në Havije. E ç’është ajo që të njoftoi se ç’është ajo (Havija)? Është zjarri me nxehtësi shumë të lartë!
Vetëm All-llahut i takon (ta dijë) fshehtësinë e qiejve dhe tokës! Çështja e katastrofës (kijametit) është (në shpejtësi) vetëm sa hedh një shikim, ose ajo është edhe më afër. All-llahu është i Gjithfuqishëm për çdo send.”