Sunduesi i Pafillimtë dhe i Pambarimtë, duke dalur para Mbretërisë, i fton besimtarët të marrin pjesë në një adhurim dhe festë të amshueshme. Ata dalin dhe presin ftesën Hyjnore të iftarit me fjalën e ezanit të akshamit, duke thënë: “All-llahu- Ekber!", që shpirtërisht ka këte kuptim: "Urdhëroni robërit e Mi të nënshtruar”. Përkundrejt kësaj situate të bukur të Mëshirshmërisë së Gjerë të të Gjithmëshirshmit, besimtarët përgjigjen me një rregullsi dhe përsosmëri të shkëlqyer. Të gjithë besimtarët në momentin e iftarit, përpara sofrës presin urdhërin e Krijuesit të Madhëruar. Çfarë thua, a e meritojnë t’u thuash njerëz,atyre që nuk marrin pjesë këtë adhurim të ndershëm dhe fisnik?
Pika e dytë: Kjo pikë e ka qëllimin tek falenderimi i mirësive të All-llahut xh.sh..dhe përmban shumë dobi, por ne do të parashtrojmë vetëm një. Siç është treguar edhe në “Fjalën e Parë", nuk mund të merret me mend se sa çmenduri është të shpërblesh shërbëtorin për arsye se ka sjellur dhurata nga mbreti, duke mosvlerësuar atë që i ka dërguar dhe në mënyrë të pakujdesshme t’i nënvlerësosh ato, kur dihet që ato dhurata kanë vlerë të jashtëzakonshme. Pra duhet pranuar se All-llahu i Madhëruar, përballë mirësive që ka ekspozuar në faqen e tokës, kërkon falenderime nga njerëzit.
Shkaqet e dërgimit të mirësive, nuk vlejnë për gjë tjetër, por më tepër ato janë si një shërbyes. Ne veten e konsiderojmë mirënjohës ndaj tyre, duke i dhënë një vlerë apo çmim, më shumë se sa e kanë merituar, kurse Bamirësi i Vërtetë, duke u nisur nga arsyeja e mirësive, meriton shumë më tepër falenderime. Pra duhet ta falenderosh Atë, duke i pranuar mirësitë drejtësisht nga Furnizuesi i Madhëruar, duke e ditur se kush është Pronari i vërtetë dhe të përcaktosh vlerën e tyre. Kjo do të dalë në pah atëhere kur e pranon nevojën ndaj tyre, e kjo vlerësohet vetëm kur agjëron.
Tani e kuptuat se agjërimi në muajin e Ramazanit është një "Çelës" i vërtetë për një falenderim të madh dhe të pastër. Në kohëra të tjera, ngaqë nuk kanë qenë të detyruar, shumë njerëz nuk e kanë ndjerë dhimbjen e urisë dhe nuk kanë mundur të përcaktojnë dot vlerën reale të mirësive. Njeriu nuk mund ta dijë vlerën e copës së bukës të thatë, sidomos pasanikët, të cilët e kanë mundësinë e vlerësimit vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Kurse në pikëpamjen e besimtarit, në kohën e iftarit ajo bukë thatë, në dëshminë e shqisës së shijes, na tregon se është një mirësi e madhe.
Duke filluar që nga Mbreti dhe deri tek më i varfëri i fundit, në muajin e Ramazanit, duke vlerësuar mirësitë e All-llahut xh.sh., shpirtërisht e fitojnë sevapin e falenderimit. Besimtari është i ndaluar të hajë ditën, mirësitë e All-llahut xh.sh. dhe nuk mund t’u afrohet, duke menduar se këto mirësi nuk janë të tiat. Unë nuk jam i lirë t’i konsumoj në qejfin tim. Ato janë malli dhe mirësia e tjetërkujt dhe duhet pritur urdhërin e Tij. Me këtë mendim duke i vlerësuar mirësitë, shpirtërisht ai falenderon All-llahun xh.sh.. Tani e kuptuat se duke agjëruar, ju bëni detyrën ndaj All-llahut xh.sh., që është çelësi i falenderimit.