Parathënie
Të jesh i sigurtë se qëllimi i krijimit dhe i përfundimit është Besimi në një Zot xh.sh.. Pas Besimit, pozita më e lartë e njerëzimit është të njohë Zotin e tij. Këtij njoftimi i thuhet "Marifetull-llah". Kënaqësia më e madhe e xhindëve dhe e njerëzve është që pas njohjes së Zotit xh.sh., të shprehet edhe dashuria për Të. Pra, për shpirtin dhe zemrën e njerëzve gëzimi i kulluar dhe lumturia e pastër rrjedhin nga dashuria për All-llahun xh.sh., nga ndjenja e këndshme në shpirt, pra nga lumturia e vërtetë, nga gëzimi më i pastër dhe mirësia më bujare ndaj Tij. Gëzohu, kur e njeh mirë Zotin xh.sh. dhe sidomos kur e do dhe e nderon Atë. Njeriu nuk mund të bëjë dot pa dashurinë ndaj Zotit të tij.
Kush e njeh dhe e do Atë, shpirtërisht apo fizikisht, ka gjetur lumturinë e vërtetë, dritën dhe sekretin e pafundësisë. Kush nuk e njeh dhe nuk e do Atë, ai njeri ka rënë në vuajtje dhe dëshpërim të thellë. Atëherë shpirtërisht dhe fizikisht ai vuan.
Në këtë botë të çrregullt, me këtë popull të habitur, me një jetë të pafrutshme, pa mbrojtje dhe pa besim, njeriu i dobët dhe i varfër, sikur të ishte edhe Mbreti i Botës, nuk do të vlente asgjë. Brenda kësaj jete të zbrazur, të çrregullt dhe të përkohshme, nëse njeriu nuk e njeh Zotin e vet dhe nëse nuk mund ta gjejë Atë, atëhere kushdo e kupton se ky njeri është kokëzbrazur. Në qoftë se ai e njeh Pronarin dhe Zotin e vet, mbështetet në Mëshirën e Tij dhe kërkon ndihmë prej Fuqisë së Tij, këtij njeriu kjo botë e pamëshirshme i kthehet në një park shëtitjeje dhe vend tregtie.
Pozita e parë
Në secilën nga këto fjalë të famshme, që vërtetojnë Njësimin e Zotit xh.sh., ka një lajm (sihariq), në të cilin ka një shërim dhe në këtë shërim ka një prehje shpirtërore të një kënaqësie të madhe.