Sikur të mos mjaftonte kjo, njeriu ngaqë është krijesa më e përkryer, pasqyron Emrat e Bukur të Zotit xh.sh. e megjithatë Ai i refuzon ato. Nuk mund të mohojmë faktin se kjo krijesë, njeriu, është një pasqyrë e të gjithë Emrave të Bukur, që krahasohet me një vjershë të këndshme dhe të mrekullueshme, ku spikat dëshira e kulluar e Zotit xh.sh. që mban në vetvete farën dhe të gjitha cilësitë e pemës së Përjetshme. Ky njeri pra ka marrë mbi shpinë Amanetin e Madh, pra Mesazhin e Madh, Kur’anin dhe me këtë përkushtim ngrihet mbi malet dhe lartësohet nepër të gjithë qiejt, me bindjen e tij ndaj Krijuesit të vet. Njeriu i tejkalon engjëjt dhe është Kalif, mëkëmbës në këtë botë. Duke qenë në këtë rang kaq të lartë, mosbesimi atë e rrëzon në nivelin më të dobët, e bën më të varfër dhe më të përkohshëm.
Në këtë mënyrë kjo krijesë kthehet në një figurë të pakuptimtë dhe të koklavitur, si një panoramë që së shpejti do të prishet. Ai mund të kthehet shumë shpejt në një send që dekompozohet dhe humbet përjetësisht.
Përmbledhje
"Nefsi emmare" (dëshirat nga të këqijat) i detyron veset që ta shtyjnë njeriun të bëjë krime të vazhdueshme. Aftësia e këtij njeriu për punët e dobishme është e kufizuar dhe e papërfillshme. Ai shtëpinë që mezi e ndërton për një vit, e rrëzon për një ditë. Por ky njeri, në qoftë se e braktis "un”-in dhe kërkon mbështetje tek Zoti xh.sh. për punë të suksesshme, pa menduar kurrë grindjet dhe turbullirat, pendohet dhe bëhet rob i devotshëm.
(9) All-llahu të këqiat i shndërron në të mira.
Atëhere All-llahu edhe këtij njeriu ia shkëmben aftësitë shkatërruese me ato të dobishme. Këtë sekret e sqaron ajeti i mësipërm, kur thotë që njeriu në këtë çast merr vlerat e "formës më të bukur" dhe arrin në kulmin e lartësive.