Ke shumë të drejtë, duke iu nënshtruar nefsit tënd, bie në gjendjen e një "hiçi". Por po qe se do ta vlerësosh detyrën tënde, siç duhet dhe të njohësh pozitën tënde ti do të jesh një vrojtues i kujdesshëm dhe një lexues i saktë i librit të madh të Gjithësisë.
Pra o njeri! Ti me trupin tënd të brishtë dhe me nefsin (pangopësinë) tënde shtazore, je më i vogël se të vegjëlit, je një krijesë e varfër dhe e dobët. A nuk e sheh se je duke u zhytur në dallgët e rrëmbyera, midis qënieve të tmerrshme? Me Dritën e Dëshirës Hyjnore që mban në vetvete, si pasqyrë e Dritës së Besimit dhe e edukatës së fesë Islame, si të mbushesh dhe të pasurohesh me cilësitë e racës tënde, me robërinë tënde tek Zoti do të jesh bërë një mbret. Individualiteti yt është kompletuar e nga vogëlsia jote ke dalë dhe në vetvete ke përqëndruar të gjitha botërat. Nga pozita e ulët (poshtërimi) ke fituar një pozitë dhe rrethvështrim më të gjerë. Si të kesh arritur në këtë arsyetim, do të thuash: "Zoti im! Mëshira Jote e Plotë këtë botë ma ka ndërtuar si një shtëpi. Hënën dhe Diellin si një llambë për të ndriçuar shtëpinë time. Pranverën ma ke sajuar si një buqetë me lule, verën si një sofër plot me prodhime (nimete). Kafshët i ke krijuar që të vihen në shërbimin tim, kurse bimët të më hijeshojnë kopshtin”.
Shkurt, nëse dëgjon nefsin dhe shejtanin, e ke zhytur veten në fundin e ferrit. Nëse rrugës së drejtë i përmbahesh dhe i nënshtrohesh Kur’anit, atëhere arrin kulmin e lartësive në formën më të bukur të Gjithësisë”
Njeriu është dërguar në këtë botë si një mik dhe nëpunës i Zotit xh.sh.. Atij i janë dhënë aftësi të konsiderueshme dhe sipas këtyre aftësive është ngarkuar me detyra të rëndësishme. Për të përmbushur këto qëllime shpesh nxitohet dhe trembet shumë. Këtë gjendje të tij e kam sqaruar në tjetër vend, por këtu po i biem shkurtimisht, derisa të kuptohet sekreti se është një ekzemplar i bukur dhe në formën më të hijshme.