Një Bukuri Ngadhnjimtare në pamjen e qenieve do ta pasqyrojë Madhështinë dhe Përsosmërinë e Bukurisë së Vet dhe do të shpallë Ngadhënjimin e Vet duke e kthyer për nga vetja botëkuptimin e njerëzve. Njeriu nga ana e tij i përgjigjet duke thënë: "All-llahu Ekber, Subhanall-llah", me një nënshtrim të plotë dhe të mahnitshëm, me dëshirë bie në sexhde. Më pas duket se sheh një Padron të Përgjithshëm, me një Fisnikëri Absolute, me një Besnikëri të madhe që shpall pasurinë dhe hambaret e tij të pafundme. Njeriu me varfërinë e tij, në përulje të plotë dhe me nderim kërkon prej Krijuesit të vet Mëshirë. Do të shohësh se Krijuesi i Madhërishëm e shpalos sipërfaqen e tokës si një ekspozitë të stërmadhe, ku ka ekspozuar të gjitha Artet dhe Antikat e Veta. Duke parë këto Mrekulli dhe duke i vlerësuar ato, do të thuash:
"Mashaall-llah". Duke i pranuar këto Bujari do të thuash: "Barekall-llah" dhe i habitur nga të gjitha këto mirësi do të thuash: "Subhanall-llah". Pasi t’i kesh pëlqyer këto, thuaj: "All-llahu Ekber". Shiko se në këtë Gjithësi ka vetëm një Vulë të pafallsifikueshme, që mban Firmën e Tij të pamohueshme që e ka vënë në Fermanin e tij të pakundërshtueshëm. E gjithë Gjithësia ka vulën e Njësisë vetëm të Tij. Argumentet e Njësimit të Vet i ka qëndisur kudo. Në çdo skaj të Gjithësisë valviten flamujt e Tij të Njësisë, që duket sikur thonë: "Ne i përkasim Edukatorit të Gjithësisë".
Njeriu i përgjigjet duke pohuar dhe besuar. Ai duke iu bindur dhe përulur Atij, thotë: "O Zot! Ti je Një dhe vetëm Një!" Me këto fjalë dëshmon Adhurimin ndaj Zotit xh.sh..
Me këto cilësi dhe me adhurimin e vet njeriu arrin në natyrën e tij të vërtetë dhe vërteton se ai është krijuar si një ekzemplar shumë i bukur. Me besimin e tij të plotë vërteton se ai mban në dorë me besnikëri dhe respekt kalifatin e botës.
O njeri i pavëmendshëm, që je krijuar si një ekzemplar i bukur, mos e shpërdoro detyrën që të është dhënë dhe mos bëj të kundërtën. Nga gremina ku ke rënë ngrije veten në lartësitë e ndriçuara!
Dëgjo! Edhe unë si ti, me dëshirat e rinisë së pakujdesshme, më parë pëlqeja këtë jetë. Në mëngjesin e pleqërisë kur u zgjova, e pashë veten se nga sa kisha pëlqyer në këtë jetë, në të gjitha veprat e mia nuk kishte rendimente të "Ahiretit". Ajo më dukej një e kaluar e shëmtuar dhe e vështirë.