Prijsi I Rinise | Prijsi I Rinise | 134
(1-162)

Progresi i vërtetë është të kthesh fytyrën e dhuntive nga Ai ku ndodhen zemra, sekreti, shpirti, mendja, bile edhe imagjinata. Kur të mendosh për jetën e ardhshme do të kujtohesh të bësh adhurimet si një detyrë e vërtetë dhe e domosdoshme, domethënë që secila shqisë të përdoret për atë qëllim dhe vend për të cilin është krijuar.

Përkundrazi, mosbesimtarët zhvillimin mendor e quajnë përparim dhe thonë, pa vënë re se kush është haram dhe kush hallall, se duhet të përfitosh prej të gjitha gjërave të shijshme, pa i quajtur turp ose të turpshme. Njeriu mendjen, zemrën dhe të tjera organe, duke i lënë në dorë të veseve dhe nefsit, e quan këtë përparim. Jo, ky nuk është përparim, por një dështim i madh, një katastrofë njerëzore. Kjo e vërtetë sqarohet me një ngjarje të imagjinuar:

"Hyra në një qytet të madh. Aty kishte pallate dhe vila luksoze. Nga porta e disa prej vilave shpërndahej një gazmend i madh dhe i ndritshëm, që të tërhiqte vëmendjen dhe të dukej sikur prej secilës merrje një pjesë të gëzimit të saj. Mua më tërhoqi vëmendjen zotëria i vilës që kishte dalë tek porta dhe luante me qenin. Ndërsa zonjat e shtëpisë të shkujdesura deri në paturpësi, bisedonin me disa të huaj. Vajzat e rritura "luanin" me djemtë e huaj. Portieri, si një aktor i mirë komandonte lojën e tyre. Nga këto që pashë, e kuptova se vila brenda mureve kishte mbetur bosh. Detyrat dhe përkushtimet kishin mbetur pa u realizuar. Morali i këtyre njerëzve ishte shkatërruar, prandaj vila kishte rënë në këtë gjendje. Nga kjo vilë u largova shpejt. Duke ecur rrugës përpara më doli një vilë tjetër, më e madhe dhe më e bukur. Ajo kishte tjetër pamje dhe aty kryheshin veprime të tjera. Përpara derës rrinte shtrirë një qen i madh besnik, por edhe i ashpër. Pak më tej qëndronte një portier serioz dhe i qetë. U çudita nga ndryshimi që kishin këto dy vila me njëra-tjetrën dhe thashë me vete se ç’ishte kjo kështu! Pa e zgjatur hyra brenda. Vura re se brenda ajo gufonte nga gëzimi. Grupe-grupe njerëzit merreshin me detyrat dhe punët e tyre. Qetësia dhe mirëkuptimi ndihej kudo. Vajzat dhe djemtë bënin mësimet. Më tutje zonjat merreshin me artet nazike dhe qëndisje të bukura. Në grupimin më të lartë i zoti i vilës bisedonte në telefon për rendin dhe qetësinë e popullit, që jeta të përsosej më mirë. Pra secili merrej me detyrën e tij, që i përshtatej dhe i kishte hije. Ata nuk më thanë "pse ke hyrë" apo "është e ndaluar", prandaj pasi sodita vilën për pak kohë nga brenda, u largova.

Nuk ka ze