Njeriu duke qenë krijesa më e përsosur dhe e pajisur me shqisa njëqind herë më të pasura se kafsha, nga kjo jetë është njëqind herë më i pakënaqur se ajo, prandaj përkushtimi i tij vetëm për këtë botë të përkohshme atë e rrëzon më poshtë se kafsha, bën ta shijojë këtë botë më pak se një zog i pyllit. Më parë kemi dhënë një shembull dhe meqenëse ka lidhje me këtë problem, po e përsërisim:
Një pasanik i jep shërbëtorit të tij dhjetë napolona flori dhe i thotë: "Shko e bli një kostum prej stofi të mirë!" Po kështu thërret shërbëtorin e dytë dhe bashkë me njëmijë napolonat e floririt i jep edhe një letër ku kishte shkruar porosinë.
Shërbëtori i parë me dhjetë napolona bleu një kostum shumë të bukur.
Shërbëtori i dytë pa e lexuar fare letrën, nxjerr njëmijë napolonat dhe ia jep një shitësi, duke i kërkuar një kostum burrash. Shitësi qëlloi mashtrues dhe i jep një kostum prej një stofi shumë të keq. Kur shkoi tek padroni, shërbëtori fatkeq u dënua rreptë dhe vuajti shumë. Kush ka mend sa një kokërr gruri e kupton se kur shërbëtorit të dytë i dhanë njëmijë napolona flori, dihet se ato nuk iu dhanë vetëm për një palë rroba, por mund të përdoreshin edhe për një tregti të levërdisshme dhe serioze.
E njëjta gjë ndodh me elementet e ndjeshmërisë shpirtërore dhe vlerat njerëzore të njeriut, të cilat të krahasuara me ato të kafshës janë njëqind herë më të zhvilluara. Si shembull: Të gjitha shkallët e bukurisë, syri i njeriut i veçon dhe ushqimet e lloj-llojshme i vlerëson shqisa e shijes, duke përcaktuar edhe shkallën e saj.
Mendja e njeriut është pajisur me cilësi të tilla, që është në gjendje të analizojë të gjitha stërhollimet e fenomeneve. Zemra po kështu është e mbushur me të gjitha përmallimet dhe sentimentet humane. Po në këtë mënyrë, po t’i rreshtosh të gjitha elementet përbërës të njeriut, a mund të kuptosh se deri ku shkon radha? Shqisat e njeriut nuk janë si ato të kafshës së thjeshtë, që nuk peshojnë as dy gram. Ato dinë vetëm të hanë, të pinë dhe të bashkohen për të vazhduar fisin e tyre. Mund të dallohet fare pak ndonjë kafshë që ka një farë instinkti të zhvilluar, që spikat me veprimet e saj, por mendimi është tepër i vështirë të zbulohet. Këto veprime nuk janë veçse instinkte.