Duhet ta pranosh se ti në këtë botë je një mysafir i All-llahut xh.sh., ashtu si dhe të gjitha qeniet që janë një pasqyrë e Emrave të Bukur, si dhe Artet e qendisura kaq bukur, që janë Mesazhe dhe Letra Hyjnore që freskohen vazhdimisht. Kjo pikëpamje dhe ky mendim ia shëron plagët njeriut dhe e shpëton nga shqetësimi se çdo gjë zhduket, si dhe nga ankthi i ndarjes. Besimi e shpëton edhe nga lidhja me sendet e përkohshme dhe nga errësira e imagjinatës së turbullt. Vdekjen dhe fundin e jetës (exhelin) i sheh si një mjet që do ta dërgojë në një sallon pritje dhe si një fillim për t’u takuar me dashamirët e panumërt. Mosbesimtarët vdekjen e konsiderojnë si një gjë të tmerrshme, që të ndan nga të dashurit e shumtë. A e pe se si besimi ndarjen e
shndërron në një takim, duke e shëruar këtë plagë të tmerrshme? Më mirë nuk ka se si bëhet. Ai shumë qartë vërteton se varri është një dritë për të soditur vreshtat e parajsës (xhennetit) dhe vilat e lumturisë së përjetshme. Me këtë të vërtetë e mjekon problemin më të madh të njerëzimit për jetën e varrit, që nën vështrimin e të pabesëve duket si një trishtim i madh. Në të vërtetë atë e kthen në një udhëtim gazmor, duke treguar se varri nuk është goja e dragoit, por një derë për të hyrë në vreshtat e bukura.
Besimi në fenë Islame i thotë besimtarit : "Meqenëse e ke vullnetin të paktë, punët e tua lëri në vullnetin e fortë të All-llahut xh.sh.. Meqënëse e ke aftësinë të kufizuar, beso në Fuqinë e Fuqiplotit Absolut. Meqënëse e ke jetën të shkurtër, mendo se do të shkosh në një jetë të pafundme. Pra për asgjë mos u shqetëso! Meqënëse e ke logjikën të shkurtër, hyr nën Diellin e Kur’anit. Shiko me Dritën e Besimit se atëhere mendimet e tua që janë si një insekt ndriçues, secili ajet i Tij do t’i shndrisë si yje të vërtetë. Meqenëse ke shumë brenga dhe mendime të turbullta, mos u bë i pashpresë, se ty të presin sevape të panumërta dhe një mëshirë e pafundme. Po qe se ke
qëllime të pafundme, duke i kujtuar ato mos u dëshpëro, se kjo botë ato nuk mund t’i konceptojë dot. Këto qëllime dhe dëshira do të plotësohen në një vend tjetër. Ti vetë ato nuk mund t’i realizosh, por dikush tjetër i plotëson".