Ky namaz i madh i tij është si një bashkim i të gjithë namazeve të bijve të Ademit, që nga ajo ditë, deri në ditën e kijametit. Të gjithë njerëzit e devotshëm dhe të ndershëm që ndjekin rrugën e Tij, kësaj lutjeje në një kor të madh po i thonë: "Amin!" (pranona o Zot). Shiko Pejgamberin tonë që lutet për nevojat e të gjithë njerëzve dhe për ata që janë në qiell, ndoshta për të gjitha qëniet, të cilat së bashku duke u pajtuar me lutjen e tij, po thonë: "Po, jepe o Zot atë që ai kërkon!" Kështu me këto fjalë, atë e shoqërojnë të gjitha qëniet, duke u lutur me një zë të ëmbël dhe të dashur, që shpreh varfërinë, dobësinë, modestinë dhe dashamirësinë e tyre ndaj All-llahut xh.sh., duke kërkuar që lutja e tij të dëgjohet. Duke u lutur kështu, ata e bëjnë gjithësinë të lotojë.
O vëlla! Ta dish se vetë jeta e Pejgamberit Fisnik, tregon se ai lutet për një qëllim të madh; që jo vetëm të shpëtojë njeriun, por ndoshta të gjitha qeniet nga pusi i thellë, nga asgjëja, nga zhvlerësimi, nga padobishmëria dhe t’i ngrejë në pozitat më të larta, që të shkojnë në përjetësi dhe të fitojnë vlerat e duhura.
Shiko! Ai lutet me një zë të ëmbël dhe kërkon ndihmë duke u shpërndarë zëri i Tij në të gjithë qiejt dhe tek të gjitha qeniet, të cilat sëbashku, Lutjes së Tij i përgjigjen me këto fjalë të bukura: "Amin, All-llahumme Amin!" Nevojat e Tij ia kërkon Dëgjuesit dhe Vëzhguesit të Plotmëshirshëm dhe të Ditur, sepse Ai këto nevoja të të gjallëve, sado të vogla, i sheh dhe i dëgjon dhe Mëshira e Tij e Madhe i pranon dhe i plotëson.
Kjo ndodh edhe për arsyen se jo vetëm për faktin që këto kërkesa janë paraqitur me gojë, por ato shprehin edhe me gjendjen e tyre të vërtetë, në një mënyrë të qartë që tregon për një vetëdije të mrekullueshme. Duke dëgjuar këto lutje bëhet fare e qartë dhe e padyshimtë se çdo gjë është realizuar dhe është parë nga ana e Shikuesit dhe Fisnikut të Plotmëshirshëm si një vepër e rrallë.