Me një sinqeritet të plotë duke u lutur ndaj All-llahut të Gjithmëshirshëm, atë lutje të pastër shprehur me sinqeritet, të pejgamberit të devotshëm, All-llahu ia pranoi dhe ia ktheu shëndetin e plotë. Tani po e sqarojmë hollësisht me këto pesë pika:
Pika e parë. Përkundër plagëve të trupit dhe sëmundjeve të Hz. Ejjubit a.s. ne kemi plagët e brendshme të shpirtit dhe të zemrës, pra jemi të plagosur. Po qe se do të shpjegojmë një për një plagët e brendshme të shpirtit, do të shohim se jemi më të sëmurë se Hz. Ejjubi a.s., sepse për secilin mëkat që bëjmë dhe për ato dyshime që fusim në kokë e plagosim zemrën dhe shpirtin tonë. Plagët e Hz. Ejjubit trembin dhe shqetësojnë jetën e përkohshme, kurse plagët tona të shpirtit trembin Jetën e Përjetshme. Kjo na shtyn që t’i lutemi njëmijë herë më tepër Zotit xh.sh., se sa Hz. Ejjubit a.s.. Si ata krimbat që ndodhen në plagët e Tij, ashtu edhe në shpirtin tonë kanë lindur "krimbat" e dyshimit nga mëkatet e përditshme (mbështetem tek Zoti). Vatra e besimit, zemra, shqetësohet nga këto mëkate dhe mjeti i komunikimit, gjuha, e humb shijimin shpirtëror të përmendjes së Zotit xh.sh.. Bile, mëkatet e bëjnë gjuhën të heshtë. Mëkati duke hyrë në zemër, pak nga pak e nxin atë dhe nxjerr jashtë saj besimin. Në secilin mëkat gjendet një rrugë që e shtyn njeriun drejt mosbesimit. Po nuk u pendove, mëkatin nuk e lan dot dhe shumë shpejt në zemrën tënde do të rritet jo krimbi, por gjarpëri që do të të kafshojë.
Shembulli 1.
Ta zëmë se një njeri ka hyrë në një vend të fshehtë për të kryer një veprim të turpshëm. Ai nuk do që ta shohë njeri gjatë kësaj pune, sepse prezenca e të tjerëve e shqetëson. Ekzistenca e melekëve (engjëjve), që hyjnë në çdo skutë, e shqetëson atë dhe me një shenjë të vogël që jep dikush ai dëshiron që ata të mos ekzistojnë. Ky njeri për një veprim të turpshëm kërkon të mohojë melekët!?