Ajo m’u paraqit si një gur i historisë së lashtë. M’u duk sikur aty lexova pleqërinë e stinëve të vitit, timen, të sajën, të racës njerëzore, të shtetit të osmanllinjëve të famshëm, vdekjen e kalifëve dhe plakjen e kësaj bote. Të gjitha sa konstatova, më futën në një shqetësim të hidhur dhe fillova të mendoj dhe të imagjinoj lumenjtë e kohës së kaluar, si dhe malet e së ardhmes. Brenda mureve të errësirës së pleqërisë, m’u shtua edhe ajo e gjendjes në Ankara, që më mbuloi krejt me errësirë (2) dhe mendoja se si të shpëtoja.
(2) Në atë kohë kjo gjendje e zemrës sime u botua në shtypëshkronjën "Hubab" në gjuhën perse, në formën e një broshure lutjesh.
Duke pritur shpëtim nga e djathta ajo m’u duk si një varr i stërmadh ku preheshin, babai, fisi dhe e tërë raca ime. Në vend që të ngushëllohesha, u trishtova më tepër.
Për të gjetur ngushëllim, shikova në të majtë (të ardhmen). Ajo për mua dhe shokët e mi dhe të gjithë brezat që do të vijnë, m’u duk si një varr i madh i kredhur në errësirë. Nuk m’u duk aspak e dashur, por si një armik i trishtuar.
Kështu rrugëzgjidhjen, nuk e gjeta as në të djathtë dhe as në të majtë, por në të sotmen. Pabesia historike e ditës së sotme, m’u duk sikur ma bëri trupin gjysëm të vdekur, që vuan sikur po jep shpirt dhe m’u paraqit si një arkivol, ku do të vendosej kufoma ime.
Mbasi mbeta i pashpresë e ngrita kokën edhe nga kjo anë që të shoh majën e pemës së moshës time. Pashë se kjo pemë kishte vetëm një frut, kufomën time.