Bashkëshorten nuk duhet ta duash vetëm për llogari të nefsit, por duhet ta dish që duhet dashur për shkak se ajo është një dhuratë e butë dhe nazike e Mëshirës Hyjnore. Nuk duhet ta vendosësh dashurinë vetëm në kohën e rinisë dhe të bukurisë që së shpejti do të kalojnë, por duhet të mos harrosh se bukuria më e përkryer dhe më e ëmbël e gruas është atëhere kur ajo ruan bukurinë shpirtërore, që është një dukuri e veçantë e grave. Ajo ka këto cilësi të vyera si; nazet, moralin, nderin, mëshirën, seriozitetin dhe buzëqeshjen ndaj burrit dhe të afërmëve të lejuar. Sidomos kur ajo mban mendime të larta për jetën e amshuar. Duke lulëzuar këto bukuri të mëshirës bëjnë të vazhdojë edhe bukuria shpirtërore deri në fund të jetës. Burri që e ka pikësynimin e dashurisë pikërisht tek këto cilësi, do të dijë se si t’i shpërblejë detyrimet ndaj kësaj krijese të dobët dhe të bukur. Sidomos kur i humbet bukuria fizike, ajo ka më shumë nevojë që burri t’i dalë zot. Përndryshhe i humbasin të drejtat e saja.
Po qe se i duam pejgamberët dhe të gjithë njerëzit e shenjtë, duhet të duhen për arsye se janë dashamirët e All-llahut xh.sh.. Kjo dashuri duhet të ekzistojë jo për gjë tjetër, por për hir të All-llahut xh.sh., sepse ato janë dashamirët e Tij.
Jetën duhet ta duash por ajo nuk është e jotja. Atë ta ka dhënë Zoti xh.sh., si një kapital kryesor dhe si një thesar, për të fituar një jetë të përjetshme. Ai e ka pajisur njeriun me shumë mjete që të bëjë dobi dhe të përsoset vazhdimisht. Me këto mendime duhet ta duash jetën dhe ta vësh në shërbim të All-llahut xh.sh. dhe të fesë Islame, që ta shpenzosh në dobi të tyre dhe atëhere kjo dashuri ka gjetur vendin e duhur.