FORMA E DYMBËDHJETË. Eja tani të bisedojmë për zhvillimin e këtyre njerëzve. T’i shikojmë veglat dhe pajisjet për çfarë janë dhënë, apo mos janë bërë vetëm për këtë vend që po jetojmë sot. Ato duken sikur janë të përkohshme, për të plotësuar nevojat dhe kënaqësitë e vogla të kësaj jete. Më beso o vëlla! Kjo jetë na është dhënë neve për të fituar jetën e amshuar. Secilën vegël është e vështirë ta shohësh, por le të vështrojmë një mostër, për të kuptuar gjithçka. Tani të shikojmë se çfarë shkruhet në fletoren që oficeri ka në çantë. Aty janë rregjistruar me rradhë; rrogat, shpërblimet, lutjet, ankesat, itineraret e lëvizjeve dhe plot gjëra të tjera. Po ta shohësh me vëmendje, e kupton se kjo nuk është realizuar për pak ditë, por për një kohë mjaft të gjatë. Në fletoren e oficerit, do të vësh re se datat e rrogave kanë një afat, ku tregohet edhe për vetë të zotin e çantës, se kur e ka datën për ta marrë atë. Dihet se afati dhe data vjen për një kohë të caktuar ku ato do të shlyhen. Detyra nuk është dhënë vetëm për pak ditë, por ajo vazhdon. Mbase ajo është dhënë për të fituar kënaqësinë e përjetshme, kur do të shkojmë pranë Mbretit. Të gjitha mundimet dhe sakrificat, nuk bëhen vetëm për këtë vend ku jemi mysafirë të përkohshëm. Ato bëhen për në një jetë tjetër të gjatë dhe më të lumtur.
Të gjitha këto shënime tregojnë se i zoti i çantës, punon për një botë tjetër, për botën e së ardhmes. Me shumë kujdes aty në fletore, janë shkruar mënyra e përdorimit të mjeteve që disponohen dhe afati i konsumimit të tyre. Në qoftë se nuk do të ekzistonte mendimi se të gjitha këto rregulla bëhen për t’u përgatitur për në një botë tjetër, çdo gjë do të bëhej gjë boshe si pa kurrfarë kuptimi. Përndryshe si rrjedhim ky oficer, njeri i ndershëm dhe patriot, do të binte në dëshpërim të thellë, do të poshtërohej dhe denigrohej, si i pafat dhe i mjerë. Kjo gjë mund t’iu ndodhë të gjithë atyre që përjetojnë të njëjtat situata.
Me këto që treguam nuk është e vështirë ta kuptosh se çdo gjë po ta shikosh me kujdes, patjetër do ta pranosh. Dhe do të bindesh dhe do të pajtohesh se pas kësaj kohe që kalon këtu, ekziston një botë tjetër e Përjetshme.
O mik, bindu tani se kjo botë ku jetojmë është një udhëtim i përkohshëm, është i përpjekjeve dhe i pazarlleqeve të përditshme!
E vërteta është se të pret pasazhi i një jete tjetër, ku një Gjykim i Madh dhe një kënaqësi e pashoqe po të përgatitet. Po deshe të mohosh këto, ke mohuar edhe çantën e oficerit, fletoren, pajimet dhe rregullat e veçanta që ekzistojnë dhe gjithashtu edhe vetë shtetin! Po arrite deri këtu, atëhere nuk mund të quhesh veçse një sofist i çmendur, sa edhe emrin njeri e ke të tepërt.