Argumentet e shndërrimit të Botës nuk janë vetëm këto “Dymbëdhjetë Forma”. Do të gjesh argumente të panumërta, të cilat vërtetojnë se kjo botë ku jetojmë, për pak çaste është e pathemeltë, e pasigurtë dhe domosdoshmërisht do të kalojmë në një botë tjetër. Njerëzimi do të largohet një ditë prej këtij hani të përkohshëm.
Të jemi të vetëdijshëm se këta mysafirë të këtij hani të përkohshëm, një ditë sipas radhës do të barten për në Mbretërinë e Lartë e të Përjetshme.
Eja! Po ta paraqes një argument po aq të rëndësishëm sa të “Dymbëdhjetë Format”. Le të shikojmë atë vendin atje që duket si ishull, ku paska grumbullime. Le të afrohemi dhe të dëgjojmë! Ai Person i hijshëm, siç duket po lexon një Mesazh. Me sa duket ai Mesazh ka zbritur nga vendi i Lartë. Ai thotë: “Përgatituni për në botën tjetër! Atje do të shkojmë. Doni ta dini se si është bota tjetër? Po jua them; kjo botë duket si burg para saj. Do të nisemi në Mbretërinë e Shenjtë. Ai me Mirësitë e Tij do të na shpërblejë sipas meritave. Kushti për këto shpërblime është përkushtim ndaj Tij dhe bindja ndaj urdhërave të Tija! Kush nuk i plotëson këto kritere, e pret burgu dhe trishtimi”.
Ja pra siç e shikon, në atë mesazh të Lartë, ka një vulë që kurrë nuk mund të fallsifikohet. Përveç kokëngjeshurve si ti o mik, të gjithë e pranojnë se ky që po lexohet tani është një Mesazh i Zotit të Madhërishëm. Njeriun e hijshëm, që na përcolli këtë Mesazh, përveç teje të gjithë e besojnë, se është i Dërguari i Shenjtë i Madhërisë së Tij.
Dëgjo se ç’thotë në atë mesazh të shenjtë: Ai argumenton dhe shpjegon se si shndërrohet kjo botë ku ne jetojmë.
A ke guximin të kundërshtosh argumentet e Tij? Jo, jo, nuk është e mundur. Nuk je aq i aftë ta bësh këtë gjë. Ti kur mund të mohosh ekzistencën e të gjitha qenieve, atëhere edhe këtë mund ta bësh. Fol po munde, të dëgjojmë çfarë do të na thuash!
“Asgjë nuk mund të them. A mundem që Diellin ta mohoj në mes të ditës? Kjo gjë nuk mund të ndodhë kurrë.Falenderimi i qoftë All-llahut njëqindmijë herë! Ai më shpëtoi nga ndjenja e smirës dhe e poshtërimit. Më duket sikur dola nga burgu i përjetshëm. Tani e besoj vërtetë, se pas këtij hani tundues dhe marramendës, sigurisht ekziston një vend tjetër i lumturisë, ku jemi kandidatë edhe ne”.
Tani u plotësuan shembujt e jetës së amshueshme (Ahiret) dhe të Ringjalljes. Do të kërkoj ndihmë dhe fat nga All-llahu xh.sh. për të paraqitur “Dymbëdhjetë të Vërtetat” e Larta përkundër “Dymbëdhjetë Formave”, të shoqëruara edhe me një “Parathënie”.
(2) P.sh.: Si në poligonin e manovrës, kur të urdhërojë oficeri, të gjitha trupat me armë në dorë ngjiten malit plot me kaçube dhe ferra.