FORMA E DHJETË. Eja, sot është dita e shëngjergjit (5). Shiko gjërat e përkryera! Në ditën e pranverës bëhet një ndryshim; në fushë ekspozohen lulet më të bukura. Shiko tani! Banorët e kësaj treve ecin si me magji. Ndërtesat duken sikur po shkatërrohen dhe po kalojnë në një formë tjetër. Shiko çfarë mrekullie! Ato ndërtesa që u shkatërruan momentalisht, sërish po ndërtohen. Këto shkretëtira po shndërrohen në qytete të bukura dhe të kulturuara. Shiko si në ekranin e kinemasë, çdo minutë, çdo orë ngrihet një botë tjetër nga asgjëja. Si në ekran, rregulli dhe disiplina nuk prishet; çdo gjë ndjek të njëjtin ritëm.
Domethënë: Edhe pse nuk e shohim, Mbreti po përgatit një Mrekulli të madhe.
Ti po më pyet o i çmendur, se si ky atdhe po shkatërrohet dhe një tjetër do të ndërtohet në një vend tjetër? A e shikon edhe pse mendja jote nuk e pranon, po ndodhin shumë ndryshime dhe rrotullime. Tubimet dhe rrotullimet që shikon, tregojnë se: Të gjitha këto kanë një qëllim tjetër. Këto shpenzime të një ore vlejnë sa shpenzimet e një dhjetëvjeçari.
Pra, gjithë kjo gjendje ka një qëllim, ajo është një shembull konkret, një imitim i Zotit të Plotmëshirshëm, për mrekullinë e Tij të përsosmërisë. Këto janë krijuar për të fotografuar veprimet dhe për të nxjerrë përfundimet e tyre si fakte të pamohueshme për Ditën e Gjykimit. Sikurse në sheshin e veprimeve, çdo gjë shkruhet dhe regjistrohet me përpikmëri.
Domethënë: Në një tubim të Madh, ato do të dërgohen dhe do të ekspozohen vazhdimisht.
Kështu të gjitha mjetet e sotme janë të përkohshme dhe të pasigurta. Ato janë bërë për të regjistruar dhe fotografuar veprimet e gjithësecilit, për Gjykimin e Përjetshëm.
Pra këto regjistrime janë prova për ata që përulen para urdhërave të Zotit dhe që do të fitojnë lëvdatën dhe respektin e Tij. Po kështu ato janë provë edhe për ata që nuk iu binden urdhërave dhe nuk besojnë në Gjithmëshirshmërinë e Tij. Të gjithë këta do t’i nënshtrohen një gjykimi të rreptë.
Domethënë: Ky gjykim bëhet për një kënaqësi të madhe dhe një gjykim të drejtë, të cilin mendja jonë me njohuritë që ka, nuk e përqafon dot.