Shiko o i pabindur! Ti po gënjehesh me atë imagjinatën tënde të sëmurë dhe dhe po mashtrohesh. Mendja jote e shkapërdisur nga pasioni tradhëtar, nuk mund të veprojë pa pasur një arsyetim mohues. A nuk e di ti se mohimi i premtimeve nuk pajtohet me nderin e Tij? Tërë veprat e Tija dhe drejtësia e Tij është e vërtetuar dhe e dëshmuar. Kjo është një e vërtetë që duket qartë, prandaj ti meriton dënime të mëdha. Veprimet e tua ngjajnë me ato të udhëtarit që i mbulon sytë nga drita e diellit dhe në errësirën e krijuar, imagjinata e tij kërkon të ndriçohet, si nën dritën e fenerit, gjatë rrugës ku ecën me trishtim. Meqë Ai, Zoti i Madhërishëm, premton dhe krijon me lehtësi, beso për krijimin e jetës së amshuar, se në Mbretërinë e Tij është shumë e nevojshme.
Domethënë: Një Gjykim i Madh dhe një Kënaqësi e Madhe na pret.
FORMA E NËNTË. Tani vëreji krerët e bashkive të rretheve (4). Në zyrën e secilit ka telefon. Me këtë telefon ai bisedon me vetë Sundimtarin. Disa prej krerëve të bashkive kanë dalur përpara Sunduesit. Të gjithë lajmërojnë se Ai ka caktuar një shesh të madh ku do të mblidhen. Ai ata që do t’i përulen dhe nderojnë, do t’i shpërblejë. Ata që nuk binden, do t’i poshtërojë dhe do t’i dënojë. Ai premton shumë, por edhe gjykon shumë rreptë. Lartësia e Tij kurrë nuk i mohon premtimet e veta. Mohimi është një denigrim dhe poshtërsi. Veprimet konkrete, pasqyrimi madhështor i këtij mbretërimi, janë mesazhe të qarta se atje na pret një Atdhe tjetër. Këto banesa në këtë vend të provës, janë të përkohshme. Në jetën tjetër këto do të ndërrohen me vila luksoze, që është i zoti t’i ndërtojë vetëm Ai, Sunduesi Madhështor, Krijuesi dhe Poseduesi i tyre. Kjo Mbretëri Madhështore, në këtë vend të provës së Madhe, kalimtare dhe e përkohshme, me ndryshime të vazhdueshme, nuk mund të vendoset apo stabilizohet.
Domethënë: Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend me qëndrueshmëri të madhe, në një Atdhe tjetër ku patjetër do të shkohet një ditë.