Ti do të mërzitësh timonierin dhe ai do të dëbojë apo të shajë, duke të quajtur shpirtkeq, sepse po nënvleftëson anijen e tij me kryeneçësinë tënde. Ka mundësi që ai të urdhërojë punëtorët e t’u thotë: "Burgoseni këtë mendjelehtë!" Në këtë rast, ti i shëmbëllen një njeriu maskara, sepse për njerëzit e kulturuar sjellja jote tregon dobësinë e karakterit tënd.
Kështu shfaqet pafuqia jote, sedra e sëmurë, hipokrizia dhe poshtërsia e sjelljes tënde artificiale. Nuk e kupton se sa bajat u bëre para njerëzve për rreth!? Ata po qeshin me ty."
Pas këtyre fjalëve njeriu u pendua, i thirri mendjes dhe hodhi mbi anije barrën e rëndë të plaçkave duke thënë: "Zoti të mëshiroftë! Tani shpëtova nga burgu i mendimeve të këqija dhe nga rruga e pamoralshme".
O njeri, që nuk i bindesh Zotit xh.sh.! Ti i ngjan këtij personi që treguam më lart. Mblidhe mendjen dhe bindju deri sa të shpëtosh nga pozita e një lypësi ku ke rënë dhe të mos lëkundesh nga trishtimi i jetës! Mundohu të shpëtosh nga pesha e kokës, nga mizerja dhe vuajtjet. Mendo për Jetën e Mbrapme si dhe për detyrimet e kësaj jete.
Pamja e katërt:
Që njeriu të bëhet me të vërtetë njeri, i duhet Besimi. Ky besim i jep atij shansin të bëhet sulltan, mbret. Për të mos humbur këtë fat, detyra parësore e njeriut është: Të besuarit dhe të luturit ndaj Zotit xh.sh., Krijuesit të tij. Mosbesimi e ul njeriun në rangun e një kafshe të egër dhe të dobët. Ky fakt dhe tregimi i mëparshëm bëhet i besueshëm dhe i argumentuar katërcipërisht. Me ardhjen e njeriut dhe të kafshës në këtë botë, vihen re dallime. Duke krahasuar të veçantat e ardhjes së njeriut dhe të kafshës, do të kuptojmë se njeriu vetëm nëpërmjet Besimit mund të arrijë cilësitë e nevojshme.
Kafsha në këtë botë është e pajisur me të gjitha vetitë dhe cilësitë e një kafshe. Ajo nuk e ka të vështirë që brenda dy orëve apo muajve të njohë dhe reflektojë ndjesitë e realitetit ku jeton. Ndërsa njeriut i duhen njëzet e ca vjet të njohë veçoritë e jetës së vet, kur miza apo një zog mali ato i mëson për njëzet ditë.