Duke i soditur këto stoli të hijshme, që janë Mrekullitë e Hyjnore, nga soditja dhe përfillja që do të tregosh ndaj Mjeshtërisë së këtyre arteve, do të bëhesh një Adhurues i apasionuar i tyre. Ky pasion dhe kjo përfillje shumë shpejt do të të tërheqin në rrugën e Tij të Drejtë, të All-llahut të Plotfuqishëm.
Ana e dytë e Adhurimit. Duke e konsideruar veten pranë Mesazhit të Zotit xh.sh. dhe duke soditur Artin dhe Mjeshtërinë e Tij, vëre se Mjeshtri Madhështor kërkon të reklamojë dhe njoftojë Mrekullinë e Veprës së Tij. Njeriu e merr përsipër me besim dhe kurajo këtë detyrë dhe bëhet njoftuesi i Zotit xh.sh.. Nga ky obligim do të vësh re se Zoti xh.sh. i Gjithmëshirshëm do që t’i sqarojë frutet e Mëshirës së Tij dhe t’i shtyjë robërit e vet ta duan Atë. Pasi ta duan, pa iu shmangur, të shpallin pa ngurruar dëshirën dhe adhurimin e tyre ndaj Krijuesit. Pastaj do të shohësh se si një Bamirës Fisnik do ta kënaqë njeriun shpirtërisht dhe materialisht. Njeriu nga ana e tij u përgjigjet këtyre mirësive me përulje, me punë, me shpirt dhe me mirënjohje. Me të gjitha shqisat, po të mundte, njeriu do të falenderonte All-llahun xh.sh..
Një Bukuri Ngadhnjimtare në pamjen e qenieve do ta pasqyrojë Madhështinë dhe Përsosmërinë e Bukurisë së Vet dhe do të
shpallë Ngadhënjimin e Vet duke e kthyer për nga vetja botëkuptimin e njerëzve. Njeriu nga ana e tij i përgjigjet duke thënë: "All-llahu Ekber, Subhanall-llah", me një nënshtrim të plotë dhe të mahnitshëm, me dëshirë bie në sexhde. Më pas duket se sheh një Padron të Përgjithshëm, me një Fisnikëri Absolute, me një Besnikëri të madhe që shpall pasurinë dhe hambaret e tij të pafundme. Njeriu me varfërinë e tij, në përulje të plotë dhe me nderim kërkon prej Krijuesit të vet Mëshirë. Do të shohësh se Krijuesi i Madhërishëm e shpalos sipërfaqen e tokës si një ekspozitë të stërmadhe, ku ka ekspozuar të gjitha Artet dhe Antikat e Veta. Duke parë këto Mrekulli dhe duke i vlerësuar ato, do të thuash:
"Mashaall-llah". Duke i pranuar këto Bujari do të thuash: "Barekall-llah" dhe i habitur nga të gjitha këto mirësi do të thuash: "Subhanall-llah". Pasi t’i kesh pëlqyer këto, thuaj: "All-llahu Ekber". Shiko se në këtë Gjithësi ka vetëm një Vulë të pafallsifikueshme, që mban Firmën e Tij të pamohueshme që e ka vënë në Fermanin e tij të pakundërshtueshëm. E gjithë Gjithësia ka vulën e Njësisë vetëm të Tij.