[Hadithit të mëposhtëm që në këtë libër përsëritet tre herë, do t’i shtojmë edhe “Shtatë shpresa”, nga libri “Mesazhe të moshuarve”.]
Shpresa e parë: O ju vëllezër dhe motra të moshuar, që u ka arritur mosha e përsosmërisë! Edhe unë jam një i moshuar si ju. Dëshira ime është që edhe juve t’iu bëj ortakë në shpresat dhe
ngushëllimet e ndritshme që kam gjetur në këtë moshë të pleqërisë sime. Tani do t’u tregoj disa raste që më kanë ndodhur gjatë jetës time. Në të vërtetë ato kanë ndodhur në moshën kur e kam pasur mendjen të lodhur dhe të ngatërruar. Nga All-llahu i Madhëruar shpresoj që aftësitë tuaja të pastërta, shpresat e mia do t’i forcojnë dhe do t’i shndrisin. Burimi, kroi, miniera dhe shpresa ime që përjetoj, është besimi (imani).
Shpresa e dytë: Në kohën e pleqërisë, në stinën e vjeshtës dhe në kohën e "ikindisë" e shikova botën nga një mal i lartë. Menjëherë m’u shfaq një ndjenjë e hidhur dhe e errët. Vura re se jam plakur. Edhe ditët, vitet dhe bota ishin plakur. Pleqëria që po më afrohej do të më largonte nga kjo botë dhe nga të dashurit e mi. Kjo ndjenjë më tronditi tepër.