Besimi në fenë Islame i thotë besimtarit : "Meqenëse e ke vullnetin të paktë, punët e tua lëri në vullnetin e fortë të All-llahut xh.sh.. Meqënëse e ke aftësinë të kufizuar, beso në Fuqinë e Fuqiplotit Absolut. Meqënëse e ke jetën të shkurtër, mendo se do të shkosh në një jetë të pafundme. Pra për asgjë mos u shqetëso! Meqënëse e ke logjikën të shkurtër, hyr nën Diellin e Kur’anit. Shiko me Dritën e Besimit se atëhere mendimet e tua që janë si një insekt ndriçues, secili ajet i Tij do t’i shndrisë si yje të vërtetë. Meqenëse ke shumë brenga dhe mendime të turbullta, mos u bë i pashpresë, se ty të presin sevape të panumërta dhe një mëshirë e pafundme. Po qe se ke
qëllime të pafundme, duke i kujtuar ato mos u dëshpëro, se kjo botë ato nuk mund t’i konceptojë dot. Këto qëllime dhe dëshira do të plotësohen në një vend tjetër. Ti vetë ato nuk mund t’i realizosh, por dikush tjetër i plotëson".
Besimi vazhdon akoma duke na dhënë këshilla:
"O njeri! Ti nuk je pronari i vetvetes. Pronar është Ai që Fuqia dhe Mëshira e të Cilit është e Paskajshme. Pra mos e merr
barrën e jetës tënde mbi vete, se më pas do të torturohesh. Këtë jetë Ai ta ka dhënë dhe beso se po të kursen shumë mirë. Përse nuk bindesh që kjo botë nuk është pa Zot dhe mundohesh që barrën e botës ta vendosësh përmbi kokë. Mos u merakos kot dhe mos mendo vetëm gjëra të frikshme. Mos kështu, se Zoti i kësaj bote është aq i Ditur, sa që në secilën vepër preferon anët më të dobishme. Meqë ti je mysafir, mos u përzie se i ngatërron më keq".