Ai ka fatin që të jetojë me Mbretin në një vilë të bukur, i kënaqur. Kur ti për vete jeton i burgosur dhe i shqetësuar, pse nuk gëzohesh që djali yt mos të të mbetet në këtë burg së bashku me ty?! Përveç shqetësimeve që ke do të të shtohen edhe ato të djalit dhe do të vajtosh më shumë. Dërgoje atje, se ka një mijë dobi.
Kryesorja është se do të fitojë mëshirën e Mbretit dhe ti mund të mbështetesh tek ndihma e Tij. Mbreti patjetër do ta dojë dhe për hir të kësaj dashurie, ndoshta një ditë do t’ju bashkojë. Ai po përpiqet që djalin të mos e lërë me ty në burg, bile më vonë ty do të të takojë me të te vila, në Mbretërinë e Tij. Ai me siguri nuk do ta sjellë djalin tek ty, por do të të çojë ty tek djali, në vilën madhështore. Atje ju do të takoheni përgjithmonë. Për të ta realizuar këtë dëshirë ka një kusht: Ti duhet t’i përulesh Mbretit!"
O vëllezër! Kjo që treguam shërben për të gjithë besimtarët myslimanë. Kur ndodh që t’ju vdesin fëmijë, duhet të mendoni: Ky fëmijë nuk ka faje dhe mëkate, gjithashtu Krijuesi i Tij është një Fisnik i Madh dhe i Gjithmëshirshëm. Zoti xh.sh. e mori prej burgut të zi dhe të mjerueshëm të kësaj bote për ta çuar në parajsën e "Firdeusit". Sa mirë!
Mendo se fëmija yt po të qëndronte në këtë botë, në një farë mënyre ti nuk e parashikoje dot se si do të ishte jeta e tij në këto kohëra të vështira. Prandaj, mos u dëshpëro për atë që të ka ndodhur!