Tani ti që ke fare pak pjesë në të përkundër Zotit që është Pronar i vërtetë, a të ka hije të ankohesh? Mos e humb shpresën dhe mos ulëri! Jo, jo, ty nuk të ka hije, sepse kjo gjë u shkon për shtat vetëm atyre që kanë rënë në errësirën e mosbesimit.
Pika e katërt. Pra, po të mos ekzistonte jeta e Përjetshme, për hidhërimin dhe humbjen e shpresës do të kishe një farë të drejte. Meqenëse kjo botë është një bujtinë e përkohshme, atje ku ka shkuar fëmija yt do të shkosh edhe ti, edhe ne të gjithë. Kjo vdekje nuk është një fenomen i rrallë, vetëm për fëmijën tënd. Kjo është një rrugë, një bulevard i vazhdueshëm dhe ndarja jote nga fëmija nuk është e përjetshme. Në të ardhmen, në parajsë do të ribashkoheni dhe do të bashkëjetoni.
Ty të takon të thuash: (Sundimi i takon vetëm All-llahut xh.sh.), fëmijën Ai ma dha dhe Ai ma mori! Përveç atyre që janë zhytur në errësirën e mosbesimit, neve na takon të falenderojmë dhe të durojmë duke thënë: "Elhamdulil-lahi ala kul-lihalë".
Pika e pestë. Shefkati (mëshira) është një nga dhuratat më të përkryera hyjnore që ka dhënë Zoti si mjet ndriçimi në zemrën e nënës dhe të babait. Aq e madhe është kjo mëshirë, saqë ata i shtyn të sakrifikojnë edhe jetën për vogëlushët e tyre. Ajo është më ndikuese se dashuria e të dashuruarve. Pikërisht kjo mëshirë shërben si shkak për t’i afruar shumë më shpejt me Zotin xh.sh..
Dashuria artificiale pas shumë pengesave mund të shndërrohet në dashuri të vërtetë, kur e gjen Zotin Madhështor. Njëlloj edhe "shefkati" (mëshira) e prindërve pa asnjë pengesë të shërben si një mjet i pastër për t’u lidhur me All-llahun xh.sh..Kështu të lidh dhe të pajton me Të.