Shenja e katërt.
Në të “Dymbëdhjetë format” e treguara, vumë re se një Zot e Mbret i Plotfuqishëm, krijoi këtë han të bollekut, ku njerëzit jetojnë jetën e përkohshme, si shembull të Bujarisë së Tij të Pakufishme. Kështu ky Bujar i madh si ka mundësi të mos krijojë një botë tjetër të Përjetshme? Nuk bëjmë asnjë gabim, po ta përsërisim edhe njëmijë herë të tjera, se ky Dijetar gjenial, i Shenjtë e i Madhërishëm, këtë botë e krijoi si një arë pjellore gjigande, si një ekspozitë madhështore me mijëra ekzemplarë antikash, për t’u treguar njerëzve, se qëllimi final i të gjitha këtyre që shihni dhe shijoni është Bota e Mbrapme.
Janë “Dymbëdhjetë Dyer” për të hyrë e për t’i parë këto të vërteta që thamë më lart. Çelësat e këtyre “dyerve” janë “Dymbëdhjetë të Vërtetat”. Po fillojmë me radhë:
E VËRTETA E PARË. Është dera e Edukatorit dhe e Mbretërimit. Është pasqyrimi i emrit “Rabb”.
A është e mundur që Edukatori i madh të mos e krijojë këtë gjithësi për një qëllim të madh dhe të përsosur, për të treguar përsosmërinë e madhe me mënyra të veçanta dhe të stërholluara të kësaj Mbretërie? Pastaj ndaj qëllimeve të Tij të larta duke besuar dhe duke adhuruar, kush i përulet Atij të mos e shpërblejë dhe duke mosbesuar kush e kundërshton, të mos e dënojë, a është e mundur?
E VËRTETA E DYTË: Është dera e Bujarisë dhe e Mëshirës. Është pasqyrimi i emrit Kerim dhe Rrahim.
A është e mundur që të mos shpërblejë sipas nderit dhe mëshirës së Tij dhe të mos dënojë sipas sedrës së tij, në bazë të veprave konkrete të cilat tregojnë Edukatorin e botërave me bujarinë, mëshirën dhe Sedrën e Tij të pafundme? Pra kur të shikosh vijueshmërinë e kësaj bote, e kupton mirë se nga më i dobëti dhe i pafuqishmi (6), deri tek më i forti, të gjithëve po u jepet ushqim i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm. Kush është i brengosur dhe i dëshpëruar, ndihma e pakursyer i vjen në çast prej Tij. Kjo na tregon se për të gjitha këto çudira, ka një Mëshirues të padukshëm, që me fisnikëri të lartë shtron gosti, bën bamirësi të shumta dhe u gjendet pranë krijesave të Tija. Le të japim një shembull konkret:
(6) Të jeni të bindur se rrisku hallall (ushqimi), nuk fitohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ai nuk jepet sipas aftësisë së qenieve, por sipas pamundësisë së tyre. P.sh. të porsalindurit ushqehen shumë më lehtë nga nënat e tyre; egërsirat më me zor dhe me mundim të madh. Peshqit trashaluqë e të çuditshëm, dhelpërat dinake dhe majmunët, si t’i krahasosh më mirë e kupton se ato kanë mënyra të ndryshme për t’u ushqyer.