Duhet të besosh se Ai, Zoti, siç ka vetinë e të Ndershmit Madhështor dhe Mëshiruesit të pakufishëm, ka edhe një vend dënimi, për kokëfortët dhe të paturpshmit. Në këtë botë vrasësi dhe smirëziu kanë mbetur në guackën e tyre, kurse i shtypuri në vuajtjen e tij. Këta kështu ndahen nga kjo botë dhe në këtë mënyrë ikin në botën tjetër. Mos mendo se ky fund do të mbetet përjetësisht kështu. Çdo gjë do të lihet për në një gjykim më të madh. Ka mjaft raste ku edhe në këtë botë, dënimi i Zotit ka goditur disa popuj inatçorë në shekujt e kaluar. Kjo tregon se njeriu nuk është krijuar për t’u sjellur kokëboshë si kafsha e pavetëdijshme. Mëkatari gjithmonë mund të përballohet me dënimin e Zotit. Brenda qenies së vet, njeriu është i obliguar të kryejë detyrat e veta të rëndësishme.
Edukatori Veten e Vet, e bën të njohur me këto krijime të çmuara dhe për këtë kërkon kundërshpërblimin e tyre.
Domethënë njeriu duhet t’iu përgjigjet me nderim të mirave të All-llahut, me besimin dhe adhurim ndaj Tij. Po nuk bëri këtë detyrë të vetën, njeriu nuk pret veç dënimin e Tij!
Për këto fruta të shijshme, për këtë bollek të bujarisë së Tij, Ai, Zoti meriton dashamirësinë dhe respektin më të lartë. Ai meriton përuljen më të thellë.
Sepse All-llahu xh.sh. me këto mirësi të pallogaritshme, ka shpallur Mëshirën e Tij, kurse njeriu duhet të shpalosë falenderimin e vet si kundërshpërblim.
Duke parë veprimet e mëkatarëve Zoti i Madhërishëm, s’ka se si të mos përgatisë vendin dhe kushtet e dënimit për këto kokëfortë. Mos u mashtroni: Përveç përuljes përpara Zotit, s’ka rrugë tjetër shpëtimi!
Përsëri po e theksoj, a është e mundur dhe brenda logjikës, që përballë të gjitha këtyre fakteve të njohura dhe të panumërt, njeriu të mos tregojë adhurim dhe përulje përpara Zotit të tij xh.sh.?
Duke iu bërë të ditur vendin e kënaqësisë së Përjetshme, All-llahu xh.sh. e ka sqaruar gjithmonë dhe s’ka se si të mos i kënaqë dhe të mos i shpërblejë atje!
E VËRTETA E TRETË: Është dera e “Hikmetit”, të mbarë dijes së mrekullueshme dhe Drejtësisë së kulluar. Është pasqyrimi i Emrit “Hakim” dhe “Adil”.
A është e mundur të mos e kuptosh se duke filluar nga atomet e padukshme deri tek dielli i ndritshëm, ka një vijë të qartë që tregon se prapa tërë këtyre ndodhive, punon Një Mbret dhe Mësues i Shenjtë, ( 8 ) i mbështetur në krahun e fortë të Diturisë universale dhe Drejtësisë së Tij të Kulluar. A ka vallë njeri që të mos përulet me adhurim dhe besnikëri përpara Atij Zoti xh.sh.? A është e mundur që këta njerëz, Atë të mos e duan dhe respektojnë?