Bukurinë dhe Madhështinë e Vet, Zoti e ka pasqyruar në krijimet e veta dhe në qeniet e shumëllojshme. Ato janë të bukura dhe të pastërta si drita e diellit. Të gjitha kanë shenjat e dukshme të vetë Krijuesit të Madh, Zotit. Aq e përkryer është bukuria e kësaj të fshehte, sa ajo si në një pasqyrë është rrënjosur në vetëdijen e njerëzve. All-llahu nuk mjaftohet me kaq. Ai do ta shohë bukurinë dhe shëmbëllimin e vet, në paraqitjen e të tjerëve, domethënë se Ai do që Bukurinë e Tij ta shohë në dy pasqyra; pra të shikojë se sa e pëlqejnë Atë të tjerët, ndërsa tek tjetra edhe Vetë të shohë Veten nëpërmjet krijesave. Ai do që t’i shohë me adhurim dhe dashuri të tjerët, për të kuptuar se sa të vetdijshëm janë ata për veprimet e tyre në përkushtimin ndaj Tij. Pra Ai do që t’i shohë ata, por edhe ata ta shohin Atë, Mëshirën dhe Plotëfuqishmërinë e Tij.
Me këtë pasqyrë, Ai nuk e ka të vështirë të dallojë njerëzit e devotshëm dhe të përkushtuar, nga sofistët kokëngjeshur e të pabindur. Ai hidhërohet dhe nuk do që të kundërshtohet me krijesën e vet. Pse këta njerëz që Ai i krijoi të kthehen në armiq të All-llahut xh.sh.?
Bujaria supreme dhe Bukuria e pashoqe e Zotit, duhet të nderohet dhe respektohet nga dashamirët e përjetshëm.
Këtë ne e vumë re shumë qartë, tek hani i mysafirëve, ku secili do të largohet shumë shpejt. Mysafiri ka oreks, por mjerisht nuk ngopet. Dihet se Zoti e ka shpjeguar shumë qartë, se prej Dritës së Tij, prej Bukurisë dhe Përsosmërisë së Tij, në këtë botë nuk mund të përfitohet shumë. Mund të marrësh dhe të shijosh jo aq sa të duhet.
(10) Dëgjoni këto rrëfime:
-Shumë kohë më parë, një vajzë e bukur e la të dashurin e parë. Ai ishte shumë i varfër. I dashuri i saj, që e ndjen veten të përbuzur, nga inati e poshtëron vajzën nëpër fshat, duke e quajtur atë të përdalë. Duke sharë vlerat morale të saj, ky njeri mohon hijeshinë dhe bukurinë e vajzës.
-Dhelpëra, kur shkoi për të ngrënë rrushin në vreshtin e huaj dhe e pa se s’po e arrinte dot, për të ngushëlluar veten tha:”Ky rrush nuk qenka fare i pjekur!”
-Si në një pasqyrë gjigande, këto qenie që zëvendësojnë njëra tjetrën, së bashku tregojnë Bukurinë e Zotit. Këto janë treguesit e pamohueshëm të Bukurisë së pastër dhe të amshueshme.