Lum për ju, që e mbaruat shërbimin dhe mundimet, tani do të pushoni në Mëshirë dhe qetësi! Ju po shkoni të merrni shpërblimin e punës tuaj. Pra, produktet e pranverës së parë, që janë farat për në të dytën pranverë, po lulëzojnë njëqind herë më prodhimtare nga e para. Ashtu siç ka ruajtur farërat, Ai, Fuqiploti i Madhërishëm, me të vërtetë, ashtu do të garantojë edhe përfundimin e jetës tuaj. Shërbimin tuaj ndaj Tij do ta shpërblejë në një formë më të frutshme.
Fjala e dhjetë: “Ue huve ala kul-li shej’in kadirun”.
“Ai është vetëm Një që Fuqia e Tij arrin në çdo gjë.”
Asgjë nuk i duket e rëndë. Për të krijuar një pranverë, e ka shumë të lehtë, si krijimin e një luleje të vetme. Për të krijuar Parajsën, për Të është një gjë shumë e thjeshtë. Në çdo ditë, vit dhe shekull, ku janë krijuar me mjeshtri sende të panumërta, ato tërësisht me gjuhët e tyre në forma të ndryshme dëshmojnë për Krijuesin e tyre. Kjo Fjalë e Famshme jep lajm të tillë gëzimi kur thotë: "O ti njeri! Adhurimi dhe shërbimi yt nuk të shkojnë dëm. Për ty është përgatitur një banesë kënaqësie e lumtur dhe vend shpërblimi. Pas jetës tënde të përkohshme ty po të pret një xhennet i përjetshëm. Beso tek Ai Zot xh.sh. që i ke besuar dhe adhuruar qysh më parë. Ai nuk mohon kurrë premtimin e Tij, sepse asnjë mangësi nuk ka për Fuqinë e Tij. Ai nuk e njeh dobësinë dhe ajo nuk ndërhyn në Fuqitë e Tij. Ashtu siç ka krijuar kopshtin tënd të vogël, është i zoti të krijojë edhe Parajsën për ty, bile të ka premtuar dhe e ka krijuar, madje edhe ty brenda saj do të të çojë".
Duket sheshit se në faqen e tokës, në secilin vit të gjitha llojet e kafshëve dhe bimëve, të treqind mijë variacionet e lloj-llojshme, me përsosmëri superiore dhe me një shpejtësi dhe lehtësi të përsosur, i ngjall dhe nëpër Gjithësi i përhapë. Në të vërtetë, kështu mund të veprojë vetëm një Fuqiplotë Madhështor që është i aftë për gjithçka. Vetëm Ai mund të mbajë premtimet e Tij.