Besimtari indirekt, me krijimet e tij të matura dhe të logjikshme të thotë: "Shihmëni! Unë jam vepra dhe krijesa e Mjeshtrit të Madh! Mëshira e Tij pasqyrohet tek unë, në të gjithë pamjen time. Tek unë do të vësh re talentin e Krijuesit". Duke e vlerësuar kështu, ky njeri i thjeshtë lartësohet mbi të gjitha krijesat e tjera dhe bëhet një përçues i Mesazhit të Zotit xh.sh. si dhe një mik që meriton parajsën.
Po qe se shpirtin e njeriut e sundon mosbesimi që shkëput lidhjet e tij me Krijuesin, atëhere stolitë e vyera të Emrave të Bukur Hyjnorë i mbulon errësira e mosbesimit dhe është i palexueshëm, si një shkrim i fshirë. Po qe se harrohet Mjeshtri i një arti të rrallë, edhe vlerat e artit të Tij do të harrohen. Po qe se do të lini në harresë mjeshtrinë e një Mjeshtri absolut, atëhere këtë gjë do ta bëni edhe për çdo lloj krijese që shihni në këtë tokë. Mosbesimtari me shkurtpamësinë e tij mendon se çdo gjë në këtë botë është e rastësishme dhe kalimtare, duke mosvlerësuar në këtë mënyrë edhe artet e Bukura.
Çdo organ shqisor, duke pasur vlerën e një diamanti, rrezaton i përthyer në mijëra thërmija, duke i dhënë vlera materiale dhe jo shpirtërore këtij fenomeni. Siç kemi thënë, qëllimi dhe esenca e filozofisë materialiste është jeta e shkurtër, e cila e ulë njeriun në pozitën e një kafshe, gjithmonë të mbushur me pakënaqësi dhe nevoja të pashterrshme. Me kalimin e kohës materia shndërrohet e shkon drejt asgjësë.
E shikon pra se ku e zbret mosbesimi krijesën më të vyer, njeriun, që shkëlqen si diamant?
Pamja e dytë:
Besimi si një Nur plot me dritë, e ndriçon njeriun, ndriçon çdo shqisë, çdo molekulë të qënies së tij, ku në secilën mund të lexosh një Mesash Hyjnor. Kur ndriçon kjo krijesë, e gjithë Gjithësia, katërcipërisht ndriçon. Këtë sekret të Madh më mirë e zbulon ky ajet:
(2) All-llahu është mbikëqyrës i atyre që besuan. I nxjerr ata prej errësirave në dritë.