Kur fëmija vdes, ti duron dhe falenderon All-llahun xh.sh. dhe nuk bërtet i pikëlluar. Ty të takon të thuash se Krijuesi m’i dërgoi këto krijesa të dashura për t’i mbikqyrur, por unë nuk mund t’u dal zot sepse kjo është punë e Tij. Dija e Tij e Gjithanshme, kështu e ka parapëlqyer dhe prandaj e mori për ta çuar në një vend më të mirë. Duhet të themi se po qe se tek kjo krijesë në dukje ne kemi një pjesë, njëmijë pjesë të vërteta janë të Tijat. Duke iu bindur Atij, duhet ta falenderojmë me gjithë zemër.
I erdhi rradha shokëve dhe dashamirëve: Po qe se ata besojnë në fenë Islame dhe i nënshtrohen All-llahut xh.sh., atëhere ata janë edhe dashamirët e Tij. Me sekretin e kësaj Fjale të Bukur që thotë: "Duaj për All-llahun xh.sh."; kjo dashuri në të vërtetë është treguar për Atë.
Bashkëshorten nuk duhet ta duash vetëm për llogari të nefsit, por duhet ta dish që duhet dashur për shkak se ajo është një dhuratë e butë dhe nazike e Mëshirës Hyjnore. Nuk duhet ta vendosësh dashurinë vetëm në kohën e rinisë dhe të bukurisë që së shpejti do të kalojnë, por duhet të mos harrosh se bukuria më e përkryer dhe më e ëmbël e gruas është atëhere kur ajo ruan bukurinë shpirtërore, që është një dukuri e veçantë e grave. Ajo ka këto cilësi të vyera si; nazet, moralin, nderin, mëshirën, seriozitetin dhe buzëqeshjen ndaj burrit dhe të afërmëve të lejuar. Sidomos kur ajo mban mendime të larta për jetën e amshuar. Duke lulëzuar këto bukuri të mëshirës bëjnë të vazhdojë edhe bukuria shpirtërore deri në fund të jetës. Burri që e ka pikësynimin e dashurisë pikërisht tek këto cilësi, do të dijë se si t’i shpërblejë detyrimet ndaj kësaj krijese të dobët dhe të bukur. Sidomos kur i humbet bukuria fizike, ajo ka më shumë nevojë që burri t’i dalë zot. Përndryshhe i humbasin të drejtat e saja.
Po qe se i duam pejgamberët dhe të gjithë njerëzit e shenjtë, duhet të duhen për arsye se janë dashamirët e All-llahut xh.sh.. Kjo dashuri duhet të ekzistojë jo për gjë tjetër, por për hir të All-llahut xh.sh., sepse ato janë dashamirët e Tij.