S. Nursiu: Mua më shqetësojnë vetëm rreziqet shpirtërore. Rreziqet që vijnë nga jashtë është më e lehtë t’i përballosh. Tani rreziku po vjen nga brenda, krimbi ka hyrë në trup. Për këtë arsye t’i kundërvihesh atij është e vështirë. Kam frikë se këtë, populli nuk mund ta përballojë dot, sepse nuk mund ta dallojë armikun. Kur e konsideron mik atë që ia këput damarët e shpirtit dhe që ia pi gjakun, pra kur bie gjendja e popullit në atë gradë, atëhere kalaja e besimit është në rrezik. Tani mua shqetësimi më i madh më vjen nga kjo pikëpamje. Mos mendo se shqetësohem për arsye se më ndëshkojnë trupin tim. Unë duke menduar se si ndëshkohet ummeti (bashkësia) shpirtërisht, atëhere ato të miat nuk më bien ndërmend. Shumë më pak shqetësohem po të më ndëshkojnë edhe njëmijë herë më tepër se kaq, vetëm se e ardhmja e kalasë së besimit të popullit të jetë e sigurtë!
Pyetje: A nuk të qetësojnë nxënësit tuaj, numri i të cilëve ka arritur në qindra mijëra?
S. Nursiu: Tërësisht nuk jam pa shpresë... por bota po përballet me një rrezik të madh. Filozofia materialiste që ka lindur në perëndim, i ka lëkundur muret e besimit. Ajo është si një sëmundje ngjitëse, kolerë, apo murtajë. Ditë për ditë është duke u përhapur nëpër të gjithë botën. Unë po pyes veten se muslimanët me çfarë mund t’i përgjigjen kësaj kuçedreje? Dikush ndoshta mendon se këtij problemi i bëhet ballë me formula të pathemelta të perëndimit, që s’bën kurrë, sepse ato janë të kalbura. Atyreve mund t’u përgjigjet vetëm me formula të freskëta të besimit islam. Kokët e mëdha janë në pakujdesi të madhe, ata po mashtrohen sepse kalatë e besimit nuk mund të qëndrojnë mbi muret e kalbura të mosbesimit. Për këtë arsye unë të gjithë kohën time e shpenzoj mbi besimin islam.
Ata nuk janë duke i kuptuar librat e Risale-i Nurit, apo ndoshta edhe nuk duan t’i kuptojnë. Ata mua më konsiderojnë si një hoxhë që ka rë në batakun skolastik dhe nuk kanë fare dijeni se unë i kam studiuar të gjitha shkencat bashkëkohore, bile në këtë temë kam zgjidhur problemet më të vështira të tyre. Derisa lidhur me këtë problem të shkencave fizike, kam shkruar edhe disa libra. Por unë nuk i pranoj lojrat e tyre.
Edhe përshkrimeve filozofike nuk ua vë veshin. Unë merrem dhe qëndroj mbi nevojën më të madhe shpirtërore të popullit dhe me jetën e brendshme të ndërgjegjeve dhe zemrave të tyre. Këto probleme të besimit islam i zgjidhi vetëm me bazën Kur’anin.
Më thonë: “Pse i hedh fjalë të tjerëve?” Jo me dashje. (Por) para meje është një zjarr i madh. Flakët e tij po arrijnë në kup të qiellit. Në atë zjarr po më digjet fëmija im, besimi më ka marrë flakë. Po vrapoj që të shuaj atë zjarr dhe të shpëtoj besimin. Dikush ma pengon këmbën në rrugë, ç’rëndësi ka? Përballë këtij zjarri të madh, a ka vlerë kjo ngjarje e vogël? Mendime të cunguara! Pikëpamje të ngushta!
Ata mendojnë se unë jam një person që mendoj të shpëtoj veten time! Ata të pafatë nuk kanë dijeni se unë kam dalur në këtë rrugë që të shpëtoj besimin e popullit. Unë jam gati të sakrifikoj jo vetëm këtë jetë, por edhe jetën e ahiretit. Në moshën time të tetëdhjetë viteve, nuk kam shijuar asnjë shije të kësaj jete. Të gjithë jetën e kalova në fronte luftërash dhe në errësira të robërisë, burgje dhe gjyqe të vendit. Më duket se nuk ka mbetur ndonjë fatkeqësi apo mundim që nuk e kam provuar. Nëpër gjyqet ushtarake u gjykova si një kriminel. Internohesha prej një vendi në një tjetër. Më ndanë nga dashamirët edhe nëpër burgje. Më helmuan disa herë. Më bënë lloj-lloj fyerjesh. Shumë herë bieja në atë gjendje që njëmijë herë parapëlqeja vdekjen ndaj jetës. Dhe në qoftë se s’do të ma kishte ndaluar feja vetëvrasjen, ndoshta sot Saidi do të ishte kalbur në dhé.