Të gjithë kishin një gjendje sikur e kishin gjetur atë çka kërkonin dhe sikur kishte zbritur atëherë Kur’ani. Njeriu kur i sodit nxënësit e Said Nursiut, e konsideron veten se është në “asri saadet” (“shekullin e lumtur”, në të cilin ka jetuar Pejgamberi a.s.). Fytyra e tyre dritë, brendësia e tyre dritë, jashtë dritë... Ata janë lidhur me një send të pastër dhe të lartë, Ai është Krijuesi i gjithësisë, ku prania e Tij ekziston në çdo vend. Nuk mund të tregohet lumturia e një personi që ecë në rrugën e Tij dhe jeton sipas urdhërave të Tij.
Said Nursiu ka përjetuar tre epoka të rëndësishme për vendin e tij, duke kaluar sprova të ndryshme. Ai ka jetuar tre periudha të rëndësishme të vendit, kushtetutën pseudo-demokratike, pluralizmin dhe shpalljen e republikës. Këto tre epoka kanë qenë plot peripecira, shkatërrime dhe shembje të mëdha sociale! Në këto kohëra të gjithë ishin rrëzuar! Vetëm njëri qëndronte në këmbë... Ai është një person që ka ardhur nga bjeshkët e Lindjes, aty ku lind dielli, dhe ka ardhur deri në Stamboll. Besimi i tij është i fortë si vargmalet. Ky person ndaj ligësive të tre epokave është strehuar në besimin e tij të fortë. S’ka thënë gjë tjetër përveç se: “All-llah” dhe “Pejgamber”. Koka e tij lart dhe krenare si një mal i lartë. Asnjë mizor s’ka mundur ta lakojë kokën e tij. Asnjë dijetar s’ka mundur ta mundë atë... Vendosmëria e tij e fortë si shkëmbi... një logjikë e tillë si rrufe... Ja pra ky është Said NURSI. Gjyqet ushtarake, revolucionet, reformat, trekëmbëshat e varjes dhe internimet, nuk mundën ta kthejnë këtë person. Atë s’mund ta pengonte asgjë. Ai këto sprova dhe vështirësi i përballonte me një trimëri të veçantë dhe me besim të fortë. Kur’ani në Ali Imran, 139, thotë:
“Ju jeni më të lartë, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.”
Kjo fjalë e Zotit ka shkëlqyer plotësisht në zotërinë e tij, Said Nursiun! Ia dëgjuam mbrojtjet kur i bënte në gjyq, mbrojtje të cilat s’kanë qenë të vetes së tij. Ato kanë qenë mbrojtje të idesë së besimit, sepse ai ka qenë simbol i kurajos dhe trimërisë.
Pse Aristoteli është kaq i madh? Për arsye se e ka çvlerësuar jetën e tij ndaj idesë së vet, apo jo? Said Nursiu më së paku është një Aristoteli. Por për armiqtë e islamit ishte një reaksionar e një fanatik, sepse sipas mendimeve të tyre për të qenë njeri i madh duhet të ishe perëndimor, i huaj. Atë e shpërngulën nga gjyqi në gjyq. Por edhe i burgosur ai ishte sundimtar. Ai burgjet i bëri shkolla. Said Nursiu shndriti burgjet dhe ndërgjegjet me nur, dritë. Sa e sa kriminelë të ashpër, armiq të sistemit shtetëror u shkrinë përpara tij dhe u bënë njerëz të tillë sikur ishin krijuar për së dyti. Të gjithë u bënë nga një besimtar i sjellshëm dhe nga një atdhetar i ndershëm. Këtë virtyt cila shkollë dhe cili sistem edukues i juaji mund t’i bënte dhe t’i bëjë?
Çdo vend që u internua, u bë atdheu i tij i vërtetë. Ku e dërgonin, menjëherë e rrethonin besimtarë të mirë. Është interesante se ligjet, ndalimet, policia, xhandarmëria dhe muret e trasha të burgut, atë asnjë çast nuk mundën ta ndajnë nga besimtarët e mirë. Ndërmjet prijësit të madh dhe nxënësve të tij, nuk mundën të krijojnë ndonjë pengesë, sepse ato pengesa përballë zellit të besimtareve, u shndërruan në një dritë shkëlqimi. Cytjet dhe pengesat e fuqisë së verbër dhe materies së vdekur, sollën dallgë të mëdha përballë oqeanit shpirtëror. Dallgë të cilat u endën nëpër të gjithë vendin, duke u zgjatur deri tek portat e universiteteve.