Një ditë e pyesin nënën e Saidit: “Me çfarë i ke edukuar fëmijët e tu, të cilët të gjithë janë kaq të zgjuar?”
Zonja fisnike i përgjigjet në këtë mënyrë: “Në jetën time përveç periudhave të zakonshme të grave, asnjëherë nuk e kam braktisur namazin e tehexhudit (namazi i pasmesnatës) dhe se asnjëherë nuk i kam dhënë gji fëmijëve pa abdest.”
Tani kuptohet më mirë se çfarë farërash kanë lulëzuar në jetën e gjatë të Saidit, i cili vetë ka thënë kështu:
“Po, mësuesi më i parë i njeriut dhe arsimtari më ndikues është nëna e tij. Në këtë mënyrë unë po iu tregoj saktësisht se çfarë kam ndjerë në vetvete rreth kësaj çështjeje.
- Unë në moshën time tetëdhjetë vjeçare kam marrë mësime ndoshta nga tetedhjetë mijë persona, por betohem me të madhe se edukata dhe arsimi bazë, që vazhdimisht më japin këshilla të freskëta, janë mësimet dhe këshillat themelore të nënës sime; ato mësime në ekzistencën time dhe në trupin tim, janë vendosur si farëra për të lulëzuar. Besoj se dija ime është ndërtuar mbi ato farëra. Kështu dëshmoj se mësimet e nënës sime të ndjerë që më ka dhënë që në moshën një-vjeçare, kanë qenë farërat që kanë lulëzuar në të vërtetat e mëdha, të cilat po i shoh tani në moshën tetëdhjetë vjeçare.
Shkurtazi nga katër themelet e rrugës së Risale-i Nurit, e para është dhembshuria dhe mëshira që është më e rëndësishmja. Këtë cilësi e kam marrë nga mesimet shpirtërore të nënës sime.”
Kur ta krahasojmë karakterin e Saidit të vogël me familjen e tij, apo rrethin në të cilin ai u rrit, do të shohim një ndryshim. Ai edhe vetë pohon se: “Kur unë isha akoma tetë-nëntë vjeç, i gjithë populli i krahinës sonë mbante tarikatin Nakshi dhe duke kërkuar frymëzim nga Gavsi Hizanija, i cili ka qenë shumë i njohur dhe me famë në rrethin tonë, thirrja: “O Gajsi Gejlani”. Në kohën e fëmijërisë sime, kur më humbiste edhe ndonjë arrë, apo diçka tjetër e thjeshtë, thoja: “O sheh, po të këndoj një Fatiha, ti lutju Allahut (xh.sh.) të ma gjejë këtë send”. Është për t’u habitur se përmbi një mijë herë me lutjen e tij më ka përkrahur. Për këtë arsye në jetën time gjithnjë sa herë që kam kënduar ndonjë Fatiha apo zikër që sjellin sevape, pas Hz. Muhammedit (a.s.m.), ia dhuroja edhe sheh Gejlaniut. Por studimet e mia, vazhdimisht më pengonin që të merresha me tarikate.”
Saidi i vogël vetëm tetë-nëntë vjet mundi t’i kalojë pranë prindërve, pastaj tërë jetën e tij, nuk mundi ta shohë më këtë lumturi.
3- Arsimimi
a) Studimet e para
Në vitet që Saidi është pranë prindërve, vëllai i tij i madh, molla Abdullahu që ishte me studime, rrallë herë vinte në shtëpi. Ai kur e krahasonte vëllain me të tjerët shikonte që studimet e kishin kompletuar atë me disa cilësi të bukura. Kështu Saidin e kaplloi zelli i studimit. Në këtë mënyrë me një seriozitet të madh mori në sy studimin dhe mori rrugën që të shkojë në medresenë e molla Eminit në një fshat të krahinës së vet. Por nuk mundi të qëndrojë më tepër se disa ditë, për arsye se sedra e krijimit të tij nuk lejonte të qëndrojë përballë ndonjë fjale të vogël që ta urdhërojë atë, e kështu u nda nga medreseja. Kështu përsëri u kthye në vendlindjen e tij Nurs, por për arsye se në fshat nuk kishte ndonjë medrese, ai mësimin e përgatiste vetë për t’ia treguar vëllait që vinte një herë në javë në shtëpi për të vizituar prindërit. Pas një kohe të shkurtër shkoi në fshatin Pirmis, pastaj në bjeshkët e shehit të Hizanit. Aty kishte katër nxënës që e ngacmonin Saidin.