Duke soditur andej këndej, nën vështrimin e pleqërisë më doli përpara syve vegimi i ndarjes dhe i humbjes, që m’i hidhëroi ndjenjat e mia. Duke qenë në atë kodër të lartë në moshën dyzetepesë vjeçare dhe duke ndjekur gjenealogjinë e degës së kësaj moshe, e çova mendjen në shtratin e jetës, duke u nisur nga pozitat më të larta deri tek ato më të ultat. Duke parë poshtë vura re se në secilën degë janë grumbulluar kufoma të panumërta, që brenda konceptimit tim ato ishin të dashurit e mi, të gjithë ata që kisha takuar dhe që isha njohur. Prej ndarjes me ta, më kaploi një ndjenjë e hidhur, sa që më vinte të ulërija si Fuzul-i Bagdadi, që duke menduar ndarjen nga miqtë e tij, duke gjëmuar ka thënë:
“Kur mendoj takimin me Ty qaj.
Bërtas aq sa kam frymë në trupin tim të thatë.”
Edhe unë duke bërtitur si ai, momentalisht më arriti drita e besimit në ndihmë, si një shpresë e pathyeshme.
Pra o ju vëllezër pleq dhe ju o motrat e mija plaka që jeni bërë si unë! Meqënëse ka një jetë të mbrapme dhe të paskajshme e cila është më e mirë se kjo jetë, meqënëse Krijuesi ynë është i Gjithmëshirshëm dhe i Plotmëshirshëm, duhet të mos ankohemi nga pleqëria, përkundrazi asaj duhet t’i gëzohemi, me një besim dhe adhurim të plotë. Pleqëria, do të bëhet si një shkak për t’u çliruar prej barrës së jetës dhe për të na dërguar të pushojmë në botëra të mëshirshme.
Hadithi i Pejgamberit (a.s.), thotë se njerëzit e shquar të racës njerëzore, janë njëqindenjëzet e katër mijë pejgamberë, që janë edhe specialistë të kësaj fushe.