Mos dyshoni se në këtë jetë, në përjetimin e fesë Islame dhe në besimin tek rruga dhe ligjet e Tij, do të ndjeni kënaqësi më të mëdha shpirtërore. Përkundrazi, në rrugën e mosbesimit dhe të mëkatit, edhe në këtë jetë të shkurtër do t’iu shkaktohen hidhërime dhe dhimbje të mëdha. Këtë të vërtetë e kam theksuar në shumë vende të Risale-i Nurit. Ky fakt është kaq i qartë, saqë me anë të shumë provave unë jam bindur se kush e mban farën e besimit në vetvete, ka garantuar xhennetin edhe në këtë jetë. Kush nuk e ka mbjellë këtë farë në shpirtin e tij, ai ka siguruar rrugën që të shpie në xhehennem (ferr) që e ndëshkon në të dy jetët me hidhërime të panumërta.
Ju motrat e mia mundohuni ta mbështetni jetën tuaj në parimet e Risale-i Nurit, sepse argumentet e tij nuk kanë mundur t’i mohojnë edhe më kokëkrisurit dhe më të pabesët e paskrupullt që janë paraqitur si ekspertë të kësaj fushe. Ju këshilloj juve motrat e mia si dhe vajzat tuaja, që janë bijat e mia të shpirtit, që të merrni mësim edhe nga vepra "PËRSE MBULOHEN GRATË", si dhe nga "PRIJËSI I RINISË", së bashku me "FJALËT E VOGLA".
Më thanë se ju keni dëshirë që në xhami t’u mbaj një vazë, ligjëratë, por mjerisht sëmundjet e ndryshme e kanë sfilitur trupin tim dhe nuk kam asnjë aftësi për t’ua plotësuar këtë dëshirë. Unë mendova se kur motrat e mia të lexojnë këto libra, do të bëhen ortake me mua, në fitoren time shpirtërore si dhe në lutjet që bëj për vete dhe për nxënësit e Risale-i Nurit. Lutjet e mia dëshiroj të jenë të pranueshme edhe për ju. Po qe se ju keni përvetësuar ndonjë pjesë të veprës së Risale-i Nurit dhe zotëroni nga ato një pjesë të mësimeve të mia, apo keni dëgjuar nga dikush tjetër për to, atëhere do të arrini të gjitha fitoret e nxënësve të Nurit, sepse nxënësit e Nurit kanë si princip bazë, që t’i luten All-llahut xh.sh., për të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë muslimanë. I Plotfuqishmi secilin mund ta shpërblejë me fitoren e sevapeve të mëdha të të gjithë nxënësve të Nurit.
Unë dëshiroj të shkruaj akoma, por nuk mundem për arsye se jam shumë i sëmurë, i dobët dhe plak. Jam i detyruar gjithashtu që shkrimet e mia që i shkruajnë vëllëzërit, t’i korigjoj.
Elbaki Huelbaki! “I Pambarim është vetëm Ai, Zoti xh.sh.”.
Jam ai që kam shumë nevojë për lutjet tuaja.
Said Nursi