Me qefin në kokë, arrita tek varri ku është shtrirë trupi im dhe duke shpresuar bërtas dhe e kthej kokën nga Mëshira jote: "Aman! Aman! O Hannan! O Mennan! Shpëtomë nga barrët e mëkateve!"
Hyra në varr, u mbështolla me qefin, shokët ikën dhe më lanë vetëm. Po pres, po i lutem Mëshirës Tënde dhe me sytë e mi po shoh se shpëtim dhe mbështetje përveç se tek Ty nuk ka! Nga shija e keqe e mëkateve të mia, nga sjellja e keqe kundërshtuese dhe nga ngushtësia e varrit, me tërë fuqinë time bërtas dhe them: "Aman! Aman! O i Gjithmëshirshëm! O Hannan! O Mennan! O Dejjan! Shpëtomë nga shoqëria e keqe e mëkatarëve dhe ma zgjero vendin!
O Zot, unë vetëm tek Mëshira yte kërkoj strehim. Mëshirë, e cila përfshin të gjitha botërat. Hz. Muhammedi (a.s.) është një shkak, për të arritur tek Mëshira jote. Unë prej Teje nuk ankohem, por tek Ti padis nefsin tim!
O Krijuesi im Bujar! O Edukatori Mëshirëplotë! Një krijesa yte me emrin Said që është robi dhe arti yt, është rebel, i dobët, i pakujdesshëm, i paditur, i sëmurë, kundërshtar, plak dhe në udhë të keqe. Ai është një rob që më parë i ka ikur Zotit të vet dhe pas dyzet vjetëve i penduar, kërkon të dorëzohet tek Ti. Po kërkon të mbështetet tek Mëshira yte. Ai po i pranon gabimet e panumërta që ka bërë. Imagjinata atë e ka kredhur në sëmundje të ndryshme. Tani të përkulet Ty dhe po qe se e pranon, fale me Mëshirën Tënde të Përsosur! Kjo veti është një nga Cilësitë e Tua të Larta, sepse Ti je më i Mëshirshmi nga Mëshiruesit. Po nuk pranove, veç derës Tënde, tek cila derë të shkoj?!...Pranoj se përveç Teje nuk ka Zot tjetër që të shkoj tek Ai. Përveç Teje nuk ka të adhuruar të vërtetë, që të mund të shkohet tek Ai!...