ÇËSHTJA E PESTË
Siç e kemi thënë tek " Prijësi i Rinisë", është e sigurtë se një ditë rinia do të kalojë. Sikurse stinët që ia lënë vendin njëra tjetrës, apo dita natës, po me këtë saktësi edhe rinia do t’i lëshojë vend pleqërisë dhe më vonë vdekjes. Në qoftë se rininë tënde e shfrytëzon me kriter, në vende të dobishme dhe me moral të pastër, të gjithë librat e zbritur njoftojnë se do të fitosh rininë e përjetshme. Por në qoftë se e shpenzon dhe e shpërdoron pas dëshirave të shfrenuara dhe të palejuara, atëhere do të vuash dënimin. Ashtu si nevrikosja e një minute që të ka detyruar të vrasësh një njeri dhe pastaj të vuash miliona minuta të burgut,po kështu, për qejfet e shfrenuara, jo vetëm që mban përgjegjësi në jetën e përjetshme, por do të dënohesh dhe torturohesh rreptë edhe në atë jetë. Këtyre prapësive po t’i shtojmë edhe dënimet e kësaj jete dhe hidhërimin e ndarjes prej saj, atëhere fatkeqësia jote do të shtohet në kulm. Këto i pranon çdo njeri që ka mend në kokë. Si shembull: Dashuria haram të sjell të hidhurën e xhelozisë dhe të ndarjes prej saj, si dhe përballimin me prapësitë që ke bërë dhe gjithashtu shumë incidente të tjera ta helmojnë shijen njëlloj si mjalti i helmuar, që nuk e ndjen kur e ha, por më pas të helmon. Nga shpërdorimi i rinisë vijnë edhe sëmundjet, që të çojnë në spitale. Nga furia e saj vuan burgjet. Nga mospërmbushja e boshllekut shpirtëror dhe moskryerja e shërbimeve të nevojshme, të hidhërohet shpirti. Në këtë rënie morale, drejtohesh tek dera e pijetores, për të gjetur ngushëllim, apo në vende më të pista ku përfshihesh nga dhuna. Të gjitha këto bëhen shkak që ta përfundosh jetën me një vdekje të tmerrshme. Po nuk më besove, shko në spitale, burgje, pijetore apo në varreza dhe pyet se për çfarë shkaqesh ndodhen këta tipa këtu. Përgjigjja sigurisht që do të jetë kjo: “Më shumë nga abuzimet e rinisë dhe zhytja në llumin e veseve të palejuara”. Kjo vlerë e madhe e moshës së njeriut, atij nuk i është dhënë që të përfundojë në ankesa të pafund dhe hidhërime, siç treguam më sipër. Po e përdore rininë në vendin që i takon, në shërbim të Krijuesit, atëhere kjo rini e gjen vendin e duhur që është një dhunti e Zotit xh.sh. dhe në një arsye të ëmbël të fitimeve të "hajrit". Në jetën e amshuar ke fituar një rini të shndritshme dhe të drejtën për të jetuar në vende të paskajshme. Këtë të vërtetë, e njoftojnë të gjithë librat e zbritur qiellorë dhe fermanët e Krijuesit. Meqë e vërteta është kështu, rrethi i hallalit është i gjerë, kurse një minutë e shijes haram të sjellë një vit, ndoshta dhjetë vjet burgje dhe tortura. Është shumë e nevojshme që moshën e rinisë, këtë dhuratë të bukur, ta përdorësh si një falenderim në vendin e duhur, në rrugën e vërtetë dhe pa dhunë.