Pra kjo botë është një hambar hyjnor dhe një anije e All-llahut xh.sh.. Ajo është një transportuese hyjnore, që mban mbi vete me mijëra dyqane të mbushur me pajisjet e nevojshme, si kuti konservash dhe pako të ndryshme. Shiko sa e madhe është kjo fabrikë hyjnore, që po ta krahasosh me atë që ka ndërtuar njeriu, do ta kuptosh nga shkenca e farmaceologjisë që po studioni dhe do të shihni se kjo që po ju them, është e saktë dhe këto shkenca, tregojnë për Fuqiplotin dhe Shpenzuesin e këtyre hambarëve. Kur ta njohësh, Ai të shtyn që ta duash.
Shembull 4. Po të kishte një komandant me një ushtri prej katërqind mijë trupash, që secilit t’ia garantonte ushqimin veç e veç, armën veç, teshat veç, stërvitjen veç dhe lirimin në periudha të ndryshme, pa harruar asnjë vogëlsi, tregon se ai është një strateg dhe komandant i zoti. Shiko në "garnizonin" e pranverës së kësaj bote, si janë rreshtuar dhe pajisur "ushtarët", nën urdhërin e Komandantit Hyjnor, ku sipas llojeve të bimëve apo kafshëve, të gjitha kanë veshje të larmishme dhe të ndryshme nga njëra tjetra, ushqim të ndryshëm, armë të veçanta, stërvitje të veçantë dhe kohën e lirimit të veçantë. Në çdo pranverë, asnjë hollësi nuk harrohet dhe pa gabuar fare, çdo gjë krijohet me pak dallim nga e para, vetëm me urdhërin e një Komandanti të Madh. Po të studioni me vëmendje të madhe edhe dijet ushtarake, do të mësoni për Strategun e kësaj ushtrie gjigande, Zotin dhe Edukatorin e këtij rruzulli. Kur ta njihni më afër, do të filloni të shqiptoni këto fjalë: "O Zot, Ty të duam mbi çdo gjë tjetër! Këto fenomene të çuditshme vetëm Ti je i Zoti t’i krijosh. Ne duke të bërë "tespih", duke të përmendur vërtetojmë që je i Patëmeta dhe vetëm ty të falenderojmë".
Shembull 5. Shiko një qytet të bukur, ku me mijëra llamba elektrike fosforuese dhe të lëvizshme, ndriçojnë me materialin e tyre, që nuk soset. Për krijuesin dhe fabrikuesin e tyre, që ka shpikur këtë dritë të pashterrshme, duartrokasin duke shprehur çudinë dhe mirënjohjen, për këta mjeshtra të elektricitetit. Po kështu në çatinë e kësaj bote, me miliona janë "llambat" e yjeve, që sipas zbulimeve të astronomëve, disa prej tyre janë njëmijë herë më të mëdhenj se bota jonë dhe lëvizin 70 herë më shpejt se gjylja e topit. Duke lëvizur, rregulli i tyre nuk prishet, nuk përplasen dhe nuk shuhen. Materiali ndriçues i tyre nuk mbaron. Shkenca e astronomisë që jeni duke studiuar, për këtë do t’iu njohë më mirë me diellin, që qenka krijuar para një milion vjetësh dhe që qenka mbi një milion herë më i madh se kjo botë.